Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj me banorët e Kombinatit, Astirit e Kasharit: Kemi ndryshuar këto zona, vota për PS-në është vota për fëmijët tuaj


Kandidati i PS per Tiranen, Erion Veliaj ka vijuar takimet elektorale me banorët e Kombinatit, Kasharit dhe Astirit.

Veliaj u premtoi banorëve se mandati i tretë, pas 14 Majit, do t’i dedikohet specifikisht këtyre zonave në Tiranë, që ashtu si me shkollën “Lasgush Poradeci” në Kombinat, do të shtohen edhe 5 shkolla të reja Astir, Yzberisht e Kashar.

Tre vjet na bllokuan tek Astiri: ‘Nuk e duam autostradën, nuk e duam Unazën, nuk e duam zhvillimin’. Ja ku jemi sot! Është rritur vlera e pronës sepse ku vjen urbanizimi vjen zhvillimi. Ndaj, ju premtoj publikisht: Ky do të jetë mandati i dedikuar Astirit, Kasharit e Kombinatit, si kurrë më parë, për të shkuar deri në cepin e fundit dhe për t’u siguruar që siç e kemi me provë në Kombinat, ku kemi shkollën më të bukur në Shqipëri “Lasgush Poradeci”, apo shkollat “Betim Muço” dhe shkollën e re, që po bëhet nga e para, “Musine Kokalari”, ashtu do i kemi edhe 5 shkollat e Kasharit, Yzberishtit dhe Astirit,” deklaroi Veliaj.

Veliaj ju ka kërkuar banorëve të votojnë për familjen dhe të ardhmen e fëmijëve duke iu rikujtuar atyre se si kanë qënë zonat ku ata jetojnë dhe si janë shndërruar falë investimeve të bëra nga bashkia Tiranë dhe Partia Socialiste.

“Nuk dua të mendoni partinë e tesera, por dua që kush jeton në Kombinat, të shkojë e të votojë për shkollën “Lasgush Poradeci”, të shkojë e të votojë për shkollën “Betim Muço”, për kopshtin e për çerdhet, të shkojë e të votojë për faktin që Sharra nuk e nxjerr më atë tymin kancerogjen. Kush jeton në Kombinat, duhet të votojë për fëmijët e vet e nëse PS ka ndërtuar shkolla, kopshte, çerdhe, ka pastruar Sharrën, nëse PS ka bërë sot Kombinatin, kantierin më të madh të rindërtimit për të rikuperuar dëmin e tërmetit, votoni familjen tuaj dhe fëmijët tuaj. Nëse PS ka ndihmuar, atëherë vota për Partinë Socialiste është vota për fëmijët tuaj,” ishte apeli i Veliajt.

Ai tha gjithashtu se ashtu si çerdhja e parë që sapo u hap në Astir, zona do të vijojë të transformohet me çdo shërbim si kudo në Tiranë.

“Ne sapo kemi hapur një çerdhe të re në zonën e Astirit, aty ku s’kishte asnjë çerdhe, kopesht, shkollë, sepse kur e drejtonin ata e kishin mendjen vetëm për pallate dhe kur e morëm ne, e gjetëm me puset e Laknasit ujin tek Astiri. Tek autostrada nuk na lanë të punonim tre vite. Sapo ka filluar investimi i parë në arsim dhe nuk do ndalemi derisa ta çojmë deri në fund. Nuk do ndalemi deri sa e gjithë Unaza të mbarojë me të 7 lotet e tjera, për t’u siguruar që Tirana çliron komplet trafikun. Ne nuk do ndalemi dhe do sigurohemi që në zonën mes Kasharit e Kombinatit të jetë zona e lirë ekonomike me 7000 vende pune,” vijoi më tej ai.