Vendosni fjalën kyçe....

Bejko vijon takimet elektorale: Do fokusohemi tek shëndeti i qytetarëve


Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Roland Bejko i shoqëruar nga kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj, ka mbajtur një takim me qytetarë dhe anëtarë të Këshillit Atlantik të formuar pak ditë më parë ku ka prezantuar programin e tij për kryeqytetin nëse zgjidhet kryebashkiak në 14 maj.

Duke u fokusuar tek vëzhgimet e fundit që e kanë nxjerrë ajrin e kryeqytetit 2 herë më të ndotur se mesatarja e BE-së, Bejko  tha se programi do të fokusohet edhe në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve duke bërë që të rriten sipërfaqet me gjelbërim.

Bejko foli edhe mbi politikat sociale, ku tha se askush në kryeqytet nuk do mbetet i pastrehë ndërkohë që mbi 40 mijë apartamente kanë mbetur stok si pasojë e çmimeve të larta, për shkak se ndërtohen për pastrimin e parave të pista.

“Është e pafalshme që në Tiranë kemi 0.8 m katrorë gjelbërim për individ ndërkohë që minimumi është 10 m katrorë gjelbërim për individë.  Në vëzhgimet e fundit rezultoi se ndotja e ajrit është 2 herë më e lartë se mesatarja e BE-së dhe për pasojë janë rritur sëmundjet kancerogjene.

Mundësi strehimi për të gjithë, është e pafalshme që 32 vite pas rënies së komunizmit ende në Shqipëri kemi të pastrehë ndërkohë që kemi mbi 40 mijë apartamente të tjera të mbetura stok. Cmimet janë marramendëse për shkak të pastrimit të parave. Ulja e taksave për ndërtesat, do na ndihmojë”- u shpreh Bejko.