Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim: Reforma në Drejtësi nuk ndryshohet paçka se ndërrohen ambasadorët, kundërshtarët duan që ajo të dështojë


Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim e cila ishte pjesë e aktivitetit për 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë foli për Reformën në Drejtësi dhe rrugën e pakthyeshme të saj për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.

Kim bëri thirrje për plotësimin e tre vakancave të mbetura bosh në Gjykatën e Lartë.

Më tej Ambasadorja theksoi se kundërshtarët e Reformës e pengojnë pasi duan që të mos ndëshkohen.

“Gjykata e Lartë ka bërë rrugë të gjatë në 110 vite, pavarësisht sfidave të vështira gjatë kësaj rruge.
Kanë kaluar më shumë se 3 vite që jam këtu dhe kam pasur privilegjin të takoj shqiptarë nga të gjitha fushat e jetës. Më kanë thënë qartë se duan drejtësi, një arsye për të qëndruar në këtë vend. Reforma në Drejtësi vazhdon të prodhojë rezultate reale. Besimi në drejtësi po zëvendësohet me optimizëm të matur. Gjykata e Lartë ka gjëra për të qenë krenare. Nga 19 anëtarë kjo gjykatë kishte vetëm një gjyqtarë 4 vite më parë, sot ka 16 anëtarë. Vakancat e mbetura duhet të plotësohen sa më shpejt të jetë e mundur. SHBA-të janë krenare që mbështesin Gjykatën me çështje ekspertësh.

Me këtë përvjetor të veçantë është një kohë për të menduar për arritjet. Kundërshtarët e reformës në drejtësi duan që ajo të dështojë pasi po shohin se ajo funksionon. Do donin të fshihnin veprimet e tyre korruptive.

Kjo tregon se sa e rëndësishme është që të gjithë ne së bashku, GJL, SHBA, BE dhe organizatat partnere të qëndrojnë të përkushtuara ndaj kësaj detyre. Në fund i përket drejtuesve shqiptarë, Shqipërisë. Themeli i reformës së drejtësisë është ndarja e gjyqësorit nga ndikimi politik, por kjo është e pamundur nëse mbizotërojnë modelet e vjetra”, deklaroi Yuri Kim.

Kim në fund dha edhe një deklaratë të një Ambasadori në ikje pasi shumë shpejt pritet t’i lerë vendin David Kostelançik.

Kim tha se pavarësisht se ndryshohen ambasadorët reforma në drejtësi nuk ka për të ndryshuar.

“SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë. Ndonëse kanë kaluar mbi 3 vite dhe fakt është që pas 3 viteve është koha për një ambasador të ri. Të gjithë e kemi parë procesin në Uashington.

Reforma nuk ka për të ndryshuar, ndonëse ndryshojnë ambasadorët. Shpresoj që ju do të kuptoni që kur SHBA flet për drejtësinë, e bëjnë këtë si një mik i sinqertë. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Kim.