Vendosni fjalën kyçe....

Partitë shpenzojnë më shumë sesa raportojnë”, Celibashi: E pamundur të gjurmojmë paratë në zgjedhje


Kryetari i KQZ-së në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” të gazetares Elona Meço në RTSH foli mbi garancinë e numërimit të votave, shpërndarjen e fondeve shtetërore për partitë dhe deklarimin e financimit të fushatave.

Ndërsa dha garanci për numërimin e votave për partitë që kanë pak ose aspak numërues, Ilirian Celibashi theksoi se procesi ka treguar që edhe kur nuk janë numëruar mirë nga rinumërimi ka dalë se nuk ka pasur ndikim në rezultat.

Janë po aq të besueshme sa ata të mos kishin asnjë numërues dhe as në parti politike të mos kishte asnjë numërues. Garancia mbi integritetin e procesit të numërimit nuk lidhet me faktin që partitë politike kanë apo jo numërues. Se çfarë do të duhet të thonin 40 subjekte që s’kanë numërues fare në zgjedhje, që nuk janë të sigurta për numërimin? Jo! Ato kanë siguri, sepse procesi ka treguar se edhe kur nuk janë numëruar mirë, kanë qenë aq pak, sa nuk kanë pasur ndikim në rezultat. Pas 2021, askush nuk e ka vënë në dyshim integritetin e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit.”- tha Celibashi.

Kreu i KQZ-së konfirmoi dijeninë se deri më sot partitë politike nuk i kanë marrë fondet e fushatës, por tha se nuk ishte ai përgjegjësi.

Nuk është një çështje e KQZ. Ne kemi bërë atë që duhej të bënim. E miratuam vendimin sesa lekë i takonte secilës parti, 1 ose 2 ditë pas miratimit nga Parlamenti të buxhetit. Ky fond nuk i shkon KQZ. Kjo është çështje e thesarit, e buxhetit të shtetit”- u shpreh Celibashi, i cili tregohet i kujdesshëm për t’i dhënë përgjigje pyetjes se me çfarë parash po e bëjnë fushatën partitë politike.

Është pyetje shumë e mirë për ta. Pas përfundimit të zgjedhjeve, 60 ditë pas, është pyetje shumë e mirë për ne”- tha Celibashi, i cili ka kompetencë mbikëqyrjen dhe monitorimin e financimit të partive politike në zgjedhje.

Megjithatë ai e ka një përgjigje realiste, kur pyetet, nëse u beson partive, kur ato dorëzojnë dokumentet në KQZ.

Ndoshta mund të jem pak naiv, por jo aq dhe besoj që shpenzohen më shumë sesa raportohen, por sa kohë që nuk ke një mekanizëm për ta verifikuar këtë ligjërisht, atëherë do të duhet t’i besosh atij mekanizmi që  është ndërtuar për të bërë verifikimin”- tha kreu i KQZ-së në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.