Vendosni fjalën kyçe....

Nga frenimi i shpopullimit te ulja e taksave e plani për zhvillimin e Vorës, Indrit Hoxha shpalos vizionin e tij për qytetin


Kandidati i opozitës për Vorën Indrit Hoxha shpalosi sot një pjesë të programit të tij.

Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në News24 ku theksoi se misioni i parë i opozitës është ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë.

Hoxha akuzoi kryeministrin Rama e qeverisjen e tij se e ka kthyer Vorën në simbol të krimit e keqqeverisjes.

Ai tha se prioriteti i tij është nxjerrja e bashkisë nga falimenti pëmes uljes së taksave të biznesit të madh në 50%, ulja e taksave të biznesit të vogël në 80% si dhe falja e çdo detyrimi të prapambetur.

“Është detyrë e opozitës dhe PD-së të frenojmë këtë shpopullim, të japim alternativën, programin që të kthejmë dhe ata që kanë ikur. Jemi një vend i vjedhur. Është simbol i krimit dhe keqqeverisjes së Ramës. Vora ka ndërruar 5 kryetarë bashkish në 4 vite. Dikush ka ikur për dekriminalizimin dhe të tjerë për korrupsion. Dhe kryetari aktual ka një dosje shumë të nxehtë në SPAK dhe unë kam bindjen e plotë se drejtësia shqiptare do veprojë me gjithë forcën e ligjit. Bashkia e Vorës gjatë qeverisjes së PD-së ka qenë bashkia që mblidhte 100% taksat, sot nuk mbledh as taksat. Detyra e parë të nxjerrim bashkinë nga falimenti. Do ul taksat 50% për biznesin e madh dhe do mbledh çdo detyrim të prapambetur. Do ul taksat me 80% për biznesin e vogël dhe do fal çdo detyrim. Do fal çdo gjobë që është bërë presion politik”, tha Hoxha.

Për sa i përket ndarjes së banesave të personave që kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ai tha se kjo do bëhet jo me short po sipas drejtësisë. Hoxha shtoi se administrata e bashkisë Vorë është nën terror, gjë që sipas tij nuk do ndodhë pas 14 majit.

“Problemi më kryesor në bashkinë e Vorës është vjedhja dhe korrupsioni. Bashkia ka shumë të ardhura, por është i paaftë kryetari i bashkisë për t’i mbledhur. Mbledhja e detyrimeve dhe taksave do të jetë në masën 100%. Asnjë biznes nuk mund të rrijë pa paguar taksat sepse në bazë të tyre ne do të vazhdojmë projektet dhe investimet. Nuk ka turp më të madh se në 2023 të premtoj ujin e pijshëm dhe rrugë. Bashkia e Vorës nuk ka ujë të pijshëm. Ka njësi që nuk kanë asnjë pikë ujë të pijshëm. Kjo ka ndodhur sepse bashkia i ka vendosur tubacionet për të marrë ujë të pijshëm Tirana. Qeveria të ndalojë presionin ndaj administratës, lërini njerëzit të zgjedhin të lire.” – deklaroi Hoxha.

Në fund Hoxha tha se do zgjidhë njëherë e mirë problemin e pastrimit të Vorës, që sipas tij është ndër më të ndoturat në vend edhe pse paguan 2.3 milionë euro për pastrimin.

“Vora paguan 2.3 milionë euro tender pastrimi dhe është qyteti më i ndotur i Republikës. Që kur kam shkuar në SPAK kanë filluar i pastrojnë 4 herë në ditë koshat, por nuk ka ma vlerë sepse aty është një tender korruptiv. Jam i bindur se SPAK do veprojë me forcën e ligjit. Qytetarët e Vorës të votojnë të lirë dhe të qetë e në mënyrë demokratike. Nëse votojnë të qetë dhe në mënyrë demokratike, fitorja jonë do të jetë e padiskutueshme.” – deklaroi Hoxha.