Vendosni fjalën kyçe....

Spahia përgënjeshtron Ramën dhe publikon videon: Strehëza e qenve endacake është e ndërtuar


Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministrit Edi Rama mbi strehën për qentë endacakë.

Rama deklaroi nga Shkodra disa ditë më parë, gjatë prezantimit të kandidatit socialist Benet Beci, se Spahia ka premtuar një strehëz për qentë, të cilën nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë kurrë.

“Jam i bindur që Beneti do ta bëjë më në fund një strehë për qentë. Se kam dëgjuar që ky që keni këtu iu premton vazhdimisht se qentë do i fusi në strehë. Harrojeni se ka për të ndodhur ndonjë gjë e tillë. Qentë do mbeten rrugëve dhe do të shtohen rrugëve”, deklaroi Rama.

Por nëpërmjet një video përgënjeshtruese Spahia tregon që një strehë e tillë është ndërtuar.

Në një video të shpërndarë në Facebook, Spahia flet nga streha ku aktualisht qëndrojnë qentë që dikur jetonin në rrugë.

Spahia shprehet në video se të gjithë ata të cilët deklarojnë për arsye elektorale mosekzistencën e një qendre të tillë, të shkojnë ta shohin me sytë e tyre.

“Jemi këtu në të parën dhe të vetmen strehëz publike për strehimin e qenve endacakë të ndërtuar nga Bashkia Shkodër. I ftoj të gjithë ata që zgjedhin për arsye elektorale të mashtrojnë publikisht duke deklaruar mosekzistencën e një qendre të tillë, të vijnë dhe ta vizitojnë, ta shohin me sytë e tyre. Madje do t’iu bëja thirrje pikërisht atyre që deklarojnë që nuk ekziston kjo qendër, të kontribuojnë në realizimin e qendrave të tjera në bashkitë e tjera”, thotë Spahia në video.