Vendosni fjalën kyçe....

Sako takim me qytetarët në Durrës: Njësitë administrative të trashëguara nga PD kanë qenë pa infrastrukturë dhe investime


Kryebashkiakja Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të Romanatit, pjesë e njësisë administrative Rrashbull, është shprehur se njësitë administrative të qeverisura nga Partia Demokratike kanë qenë pa infrastrukturë, pa investime dhe të mbytura në borxhe.

Që nga 2015 kur nisi reforma territoriale dhe vazhdim, vijon ajo, përveçse janë shlyer borxhet e këtyre njësive, u arrit që të bëhen edhe shumë investime të tjera.

Kryebashkiakja Emiriana Sako iu ka bërë thirrje banorëve që në këto zgjedhje të votojnë numrin 2 dhe Partinë Socialiste duke shikuar vetëm përpara dhe jo të djathtën, që është prapambetja dhe e shkuara.

Në një balanc, kemi pasur një borxh të bashkuar 3.87 mln dollarë, përveç borxhit kemi bërë dhe investime deri në 4 km rrugë.

Këto janë angazhime që po i marrim sot dhe do bëjmë maksimumin për të mbajtur premtimet. Ndaj votoni më 14 maj partinë socialiste, sepse kjo forcë ka shtruar rrugët, kjo forcë ka bërë shkollat. PS ka bërë sot Durrësin një qytet më të pastër. Mos e çoni Durrësin mbrapa sepse e dimë mirë se cilat fytyra fshihen pas tij. Ne e duam Durrësin, një qytet më të pastër, më të bukur e më të zhvilluar.”- tha Sako.

Në takimin me banorët e kësaj zone, Sako tha se janë planifikuar investime në shumë rrugë të fshatit Romanat, të cilat nisin që këtë vit, ndërkohë që edhe rrjeti i ujit të pijshëm do të ndërtohet tërësisht i ri. Duke folur për bashkinë e Durrësit, kryebashkiakja Sako tha se një punë e madhe është bërë për rindërtimin ku në gjithë bashkinë janë ndërtuar 744 banesa të reja, 18 shkolla dhe shumë qendra të reja shëndetësore.