Vendosni fjalën kyçe....

Arlind Qori: Nuk ankohem për vjedhje votash, rezultati ynë do habisë shumëkënd


Kandidati i lëvizjes “Bashkë” për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Arlind Qori, deklaroi në emisionin “Open” se rezultati që do korrë në zgjedhje forca politike që ai drejton do jetë “mbresëlënëse” dhe se “do habisë shumëkënd”.

Arlind Qori shtoi se qytetarëve “u ka ardhur në majë të hundës nga 30 vite qeverisje pa vizion dhe korruptive”.

Ai shtoi më tej se nuk do thotë se i janë vjedhur votat “edhe sikur në votime të marrë 5 vota”, teksa vijoi duke thënë se idetë e programit të partisë së tij janë materializuar në shumicën e vendeve të Evropës.

Unë besoj shume te ndërgjegjja e çdo qytetari se do votojë më të mirën për të ardhmen e qytetit. Është hera e parë që hyjmë në zgjedhje. Nëse do vinit një ditë me mua derë më derë do vini re se situata është optimiste. Nuk dua ta ekzagjeroj por dua të flas për mundësi të cilat besoj se janë. Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga 30 e kusur vjet nga qeverisje pa vizon e korruptive. Idetë tona shkojnë në përputhje me atë që duan qytetarët.

Klasa politike është në kalbje e sipër. Sa vjen e thellohet edhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj tyre. Rezultati ynë do habisë shumëkënd. Kam bindje se kjo do ndodhë dhe rezultati do jetë mbresëlënës. Në çdo tavolinë numërimi do kemi vëzhguesit tanë, kemi numrin e mjaftueshëm të aktivistëve në kuptimin e parë të fjalës. Jam i sigurtë se Lëvizjes Bashkë nuk do i vidhet asnjë votë. Unë besoj te përgjegjësia politike. Një parti nuk mund të fshihet nga përgjegjësia. Edhe nëse marrim vetëm 5 vota, nga unë nuk do dëgjoni që na i vodhën zgjedhjet. Çdo qytetar që e shet votën e konsideroj si dështim personal që nuk kam arritur të bind një qytetar. Shitja e votës bëhet për 50 euro zakonisht. Nëse nuk bindim dot njerëzit që ato 50 euro nuk vlejnë, është faji ynë.

Po të lexonit programin tonë për Tiranën, idetë janë të materializuara në shumicën e vendeve në Evropë. Në këtë kuptim, programi ynë është materializuar në këto vende. Nga ana tjetër kur them se do hetojmë kullat i referohem një ligji aktual.

Unë mendoj se vota jonë do jetë transversale. Partitë e vjetra nuk i kanë votuesit e tyre si patate në thasë. Qytetarët janë të lirë për të votuar dhe zgjedhin. Veliaj ka 8 vite që bën të njëjtat premtime, është një kryetar bashkie qesharak përveç se i korruptuar. Këlliçi kërcet fishekzjarrë në ajër dhe doli më i majtë se ne me premtimet e tij. Veliaj ka ndërtuar 14 shkolla të reja, jo 40 shkolla. Dy rivalët e mi janë hiçër në kuptimin politik. Mendojini të dy pa partitë e tyre, as votat e familjarëve të tyre nuk do merrnin. Janë nulitete intelektuale dhe kanë fatin që janë të preferuarit e padronëve të partive të tyre”, u shpreh ai.