Vendosni fjalën kyçe....

Lapsi.al: Si po e fsheh OSBE/ODIHR trukimin e zgjedhjeve të 14 Majit


Nëse një i huaj, që sapo ka mbërritur në Shqipëri do të lexonte raportin e ndërmjetëm të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, të OSBE/ODIHR për fushatën e 14 Majit, nuk do të kuptonte realisht asgjë se ç’ndodh në përplasjen politike para zgjedhjeve dhe se si është deformuar sistemi për të trukuar rezultatin përfundimtar.

Po të kemi parasysh se shqetësimet kryesore të OSBE/ODIHR kufizohen tek bonusi për pensionistët dhe dy incidente mes militantëve, nuk është çudi që ky lexues t’i japë Edi Ramës një “Bravo”, i bindur se ka krijuar një mjedis të lirë dhe demokratik në prag të zgjedhjeve lokale.

Sepse raporti lë jashtë vëmëndjes deformim thelbësor që i është bërë procesit, siç është e drejta e çdo force politike për të hyrë e barabartë në garë. Janë këto deformime që nuk janë askund në raport dhe që i kanë hapur rrugë rezultatit të manipuluar në 14 Maj.

1) Deformimi i administratës zgjedhore

Është qesharake të lexosh në raport si shqetësim të vëzhguesve të huaj faktin se nuk ka barazi gjinore në administratën zgjedhore. “29 përqind e anëtarëve të KZAZ-së ishin femra” thuhet në raport, duke u lënë jashtë vëmëndjes fakti se forca më e madhe politike, koalicioni “Bashkë Fitojmë” që ka kandidatë në 61 Bashki, nuk do të ketë numërues në gjysmat e tryezave të numërimit.

Jo vetëm kaq. “Bashkë fitojmë” hyn në këto zgjedhje me vetëm 1 anëtar të KZAZ nga 7 gjithsej.
Por nuk thuhet askund në raport që komisionerët dhe numëruesit që i takonin dyshes “Berisha-Meta”, si forca më e madhe në opozitë i kaluan Enkelejd Alibeajt që sot nuk gjen njerëz t’i punësojë. Alibeaj garon me vetëm 14 kandidatë në këto zgjedhje.

2) Deformimi për financimin e opozitës

Në raportin e ndërmjetëm të vëzhguesve të Odri Glover trajtohet edhe tema e financimit të partive.

Por nuk ka asnjë shqetësim nga OSBE/ODIHR për faktin se një parti opozitare, që del në zgjedhje me vetëm 14 kandidatë (PD e Alibeajt) financohet me thuajse 26 milion lekë, ndërsa një koalicion opozitar (BF e Berishës) që del me 61 kandidatë, financohet me vetëm 16 milion lekë.

Çfarë ndodh me përfaqësimin e votuesve të opozitës? A do të ndikojë në rezultatin përfundimtar financimi i deformuar i grupimeve të opozitës? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, nuk gjenden në raportin e OSBE-së, që është më shumë një raportim steril i shifrave në këtë temë.

3) Deformimi në media

Gjatë ditëve të para të fushatës, televizionet kryesore e kanë shpërfillur detyrimin që u përcakton ligji në lidhje me raportimin e kandidatëve të opozitës. Ligji imponon që përballë kandidatëve të Partisë Socialiste të kenë të njëjtën kohë televizive 14 kandidatët e PD-së së Enkelejd Alibeajt.

Shumë më pak kohë duhet t’u jepet 61 kandidatëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”. Ky pasqyrim është një nonsens, që nuk i përgjigjet realitetit. Presioni ligjor, dhe jo vetëm, ka siguruar praninë e kandidatëve të Alibeajt në ekranet e televizioneve, duke amplifikuar mesazhin e përçarjes së opozitës.

Vëzhguesit e Glover kanë qenë aq të painteresuar për atë që ndodh realisht, saqë janë mjaftuar me disa formula në lidhje me shqetësimet për lidhjet e medias me biznesin“Të dy faktorët krijojnë pengesa për pavarësinë editoriale dhe i bëjnë gazetarët të pambrojtur ndaj presionit dhe vetë-censurimit” përsëritet në raport një shprehje që riciklohet thuajse çdo vit në dokumente të tilla.

4) Aplikacioni “Aktiv1sti”

Aplikacioni “Aktiv1sti” është një nga risitë e zgjedhjeve të 14 Majit. Përdoret për ta mbajtur administratën nën presion të vazhdueshëm për të komentuar/pëlqyer/shpërndarë mesazhet propaganduese të kandidatëve të Partisë Socialiste. Kush ka njohuri minimale për rrjetet sociale, kupton se ndryshimi i algoritmit nga qindra mijëra reagime për politikanë të caktuar, krijon një tendencë të përgjithshme promovimi të këtyre politikanëve në rrjet.

“Aktiv1sti” është shndërruar edhe në një mjet presioni për punonjësit e administratës publike në këto zgjedhje dhe shihet si një zgjatim i skandalit të databazës së patronazhistëve, një skemë shantazhi e kritikuar ashpër nga OSBE dhe organizma të tjera ndërkombëtare.

Në raportin e ndërmjetëm, “Aktiv1sti” preket tangent. Jo si një mjet represiv që kërcënon lirinë dhe dinjtietin e qytetarëve, por si një mosmarrëveshje mes partive politike.

“Më 24 mars, kandidati i Komisionit të Rithemelimit i kërkoi Prokurorisë së Posaçme kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të fillojë hetimin penal ndaj Kryeministrit Rama dhe të tjerëve lidhur me shpërndarjen dhe përdorimin e aplikacionit “Aktivisti”, prezantuar në 2022 nga PS. Kërkesa e kandidatit sugjeron që aplikacioni përdoret brenda administratës publike të kontrolluar nga PS, për të kontrolluar veprimtarinë nëpër media sociale të punonjësve vartës në sektorin publik për të mbështetur aktivitetet e PS dhe zyrtarëve qeveritarë dhe liderave të partisë në rrjetet sociale” thuhet në raport.

Lapsi.al ka raportuar vetëm disa nga deformimet që paralajmërojnë një rezultat të trukuar në 14 Maj. Shumëkush e justifikon, por pakkush e mohon faktin se mazhoranca ka ndërhyrë në procesin e 14 Majit, para se të nisë fushata. Vetëm në dokumentin e ndërkombëtarëve. që duhet të raportojnë për standartet e zgjedhjeve në Shqipëri, këto deformime nuk ekzistojnë askund.