Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Nënkalime te “21 dhjetori” dhe Fakulteti Ekonomik për të lehtësuar trafikun


Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi, ka folur në studion e Top News, për prioritetet e programit të tij që do të sjellin ndryshim në qytet dhe do të zbusin koston e rëndë të jetesës.

Këlliçi theksoi se transporti publik falas do të realizohet dhe do të jetë një realitet.

 Ai tha se ky projekt ndikon në jetën e përditshme të 200 mijë banorëve, që janë pjesa më në nevojë në Tiranë e që luftojnë për të mbyllur muajin.

Transporti publik kursen afërsisht 50 mijë lekë në muaj për një familje.

Këlliçi po ashtu është ndalur tek masat që ai parashikon për lehtësimin e trafikut, që është një nga gangrenat më torturuese për qytetarët.

Nënkalimi në sheshin ‘Skënderbej’, tha Këlliçi, do të shfryjë 60 përqind të trafikut në qendër.

Kandidati i opozitës ka folur edhe për ndërhyrje të tjera që do të lehtësojnë qarkullimin, do të kursejnë kohën dhe karburantin e qytetarëve, siç janë nënkalimet te “21 Dhjetori”, apo tek Fakulteti i Ekonomisë. Nyje këto që bllokohen shumë dhe sjellin vonesa e stres.

Këlliçi tha se Transporti Publik Falas dhe projektet për zbutjen e trafikut, prioritete që i shërbejnë qytetarëve, janë vendimet e para që ai do të marrë e do të kalojë në Këshillin Bashkiak.