Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i opozitës për Vorën Indrit Hoxha: Të hënën kallëzoj në SPAK kryebashkiakun. Do ul taksat për biznesin


Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Vorën, Indrit Hoxha, ka pohuar sot se të hënën do kallëzojë në SPAK kryebashkiakun socialist të Vorës për disa tendera, duke e akuzuar atë për abuzime.

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Hoxha tha se Vora është kthyer vitet e  fundit në simbol të krimit dhe se kryebashkiakët socialistë kanë abuzuar prej vitesh me taksat e qytetarëve.

“Fushatë ndryshe nga të gjitha të tjerat e opozitës dhe PD, pasi mund të jemi e vetmja opozitë në Europë që nuk kemi asnjë lloj pushteti. Kjo është arsye që njerëzit kanë një stepje të shfaqen, ndaj po bëjmë takime të vogla ndryshe nga ç’kemi bërë gjithmonë. Kjo mendoj se është produktive pasi njerëzit duan kontaktin e drejtpërdrejtë. Ne duhet të votohemi si programi më i mirë qeverisës. Vora është një vatër e nxehtë. Sa i përket kandidatit që kam përballë, nuk i di as emrin. Vora është simbol i krimit të Ramës, ka ndryshuar 5 kryetarë bashkish në 4 vite ose për dekriminalizim ose për afera. Kryetari aktual ka bërë në 12 muajt e fundit ka bërë 14.2 milionë procedura tenderimi. Po të dalësh në terren, zbatimi i tyre është zero. Abuzim me taksat e qytetarëve. Të hënën do t’i drejtohem SPAK për të çuar abuzimet me tenderimet e bëra. Dokumentacioni është gati.” – tha Hoxha.

Kandidati i opozitës tha më tej se bëhet fjalë për tenderin e pastrimit si dhe atë për zyrat e bashkisë. Hoxha i bëri thirrje SPAK-ut që të veprojë pas 14 majit, ditë kur kandidati socialist do marrë përgjigjen e qytetarëve të Vorës e më pas edhe të drejtësisë.

Sipas Hoxhës, Vora është falimentuar qëllimisht nga kryeministri Rama. Ai premtoi iljen e taksave 50% për biznesin e madh e 80% për biznesin e vogël si dhe faljen e taksave për 4 vitet e fundit për biznesin e vogël.

“Tenderi i pastrimit të bërë në Vorë ka kushtuar 2.3 mln euro taksa, sot Vora është qyteti më pi pisët. Një tender tjetër për një pastrim emergjencë 90 ditore, është diku tek 350 mijë euro. Tjetra është për zyrat e bashkisë, sepse bashkia nuk ka zyra por vetëm ambiente të marra me qera, ka kushtuar 6 milionë euro. Këto janë disa nga dosjet. Kam marrë përsipër të çoj para drejtësisë këdo që ka vënë duart mbi taksat e qytetarëve sidomos në Vorë, qoftë i majtë apo i djathtë. Kam besim që SPAK do e çojë kryetarin e bashkisë para drejtësisë. I bëj thirrje SPAK të mos veprojë para datës 14 që të japë llogari para qytetarëve dhe pastaj para drejtësisë. Bashkia e Vorës është e falimentuar me qëllim nga Edi Rama në mënyrë që të përdorë fondet për të tendera e PPP për ta kthyer bashkinë në KÇK. Plani im është nxjerrja e bashkisë nga falimenti. Do miratoj uljen e taksave 50% për biznesin e madh dhe 80 % për atë të vogël. Do falen edhe taksat e 4 viteve të fundit të biznesit të vogël, por jo për biznesin e madh.” – shtoi Hoxha.