Duke prezantuar ditën e sotme kandidaten Eriselda Zotaj Çelaj dhe planin e saj për qytetin e Fierit, Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, vijoi me akuzat ndaj Sali Berishës ku tha se beteja elektorale nuk është e lehtë, për shkak të sulmeve të vazhduara nga Berisha drejt Partisë Demokratike.
Duke iu referuar shpalljes “non grata” të Berishës, Alibeaj tha se të gjithë e dinë hallin e tij, duke shtuar se ish kryeministri këtë hall e ka bërë problem dhe pengesë për Partinë Demokratike.
Alibeaj shtoi se do të jenë konkurrentë seriozë dhe të qartë në këto zgjedhje vendore, edhe pse koha është e shkurtër, edhe pse rrethanat janë të vështira.
“Eriselda është një fierake 24 karatëshe dhe një demokrate 24 karatëshe. Kur kombinohen këto të dyja bashkë, Fieri mund të shohë larg, mund të shohë në 2030n. Jam njohur me planin ambicioz të kandidates sonë për Bashkinë e Fierit dhe kam mbetur i mrekulluar nga vizioni i saj. Komplimente, Eriselda! Qytetarët fieriakë janë me fat që të kanë dhe do të jenë të nderuar të përfaqësohen prej teje.
Por ne e dimë që kjo betejë nuk do të jetë e lehtë. Sepse Partia Demokratike e të gjithëve ne, Partia Demokratike që drejtoj, gjendet, prej një viti e gjysmë, nën një sulm të pareshtur. Partia jonë po goditet nga ish-lideri i saj historik, po goditet nga Sali Berisha.
Pse na godet? Të gjithë e dimë hallin personal të tij, shpalljen non grata për inkurajim të korrupsionit madhor dhe minim të demokracisë nga aleati ynë më i madh perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej fundit të korrikut është shpallur non grata edhe nga një aleat tjetër yni, Britania e Madhe. Pra e kanë shpallur non grata, personalisht dhe familjarisht, të majtët e Amerikës dhe të djathtët e Britanisë. Sepse në politikën e jashtme, të majtë e të djathtë, në vendet demokratike serioze, janë të unifikuar.
Unë kam bashkëpunuar me Sali Berishën dhe, natyrisht, më vjen keq për këtë që i ndodhi. Por ai zgjodhi që hallin e tij personal ta bëjë problem të Partisë Demokratike dhe t΄ia faturojë demokratëve, njerëzve më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi.
Atëherë, çfarë do të bëjmë ne?
Ne do të jemi konkurrentë seriozë dhe të qartë në këto zgjedhje vendore, edhe pse koha është e shkurtër, edhe pse rrethanat janë të vështira. Ne ftojmë në një aleancë politike të gjitha partitë parlamentare ose jo, nga qendra në të djathtë të cilët janë për idealet euroatlantike, janë për orientimin perëndimor të Shqipërisë, janë për të luftuar dhe rrëzuar trekëndëshin e Bermudës të përfaqësuar nga tri pikat simbolike të tij Rama-Berisha-Meta që përbëjnë të shkuarën, që janë problemi dhe asesi zgjidhja. Kjo aleancë me qëllim strategjik kërkon që të trajtohet edhe pas 15 majit si një përqendrim dhe bashkim i shumicave demokratike. Këta jemi ne, demokratët e Shqipërisë!
Ne do të i futemi një procesi organizimi të brendshëm elektoral, tërësor dhe kapilar, për tu rikthyer në pushtetin lokal me sa më shumë bashki dhe këshilltarë për t’i dhënë jetë demokracisë lokale pas zgjedhjeve të njëanshme të vitit 2019. Kandidatët tanë do të jenë fryma euroatlantiste në politikën shqiptare. Ata do të jenë nismëtarët e rikthimit të demokracisë shqiptare në shinat e normalitetit, në shinat e standardeve. Do të jenë kandidatët që jo vetëm politikisht por edhe praktikisht do t´i hapin bashkitë pranë qytetarëve.
Si përfundim, kantieri më i madh për ne demokratët e Shqipërisë është pas 15 majit. Ne kemi të drejtën të jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e bukur e lindjes.
Ne jemi demokratët e Shqipërisë dhe jemi këtu për të mbrojtur frymën euroatlantiste të vendit, ne jemi bartës së idealeve të lëvizjes së dhjetorit dhe të gjithë atyre që luftuan gjatë gjithë këtyre viteve që Shqipëria të jetë perëndim dhe jo lindje, që Shqipëria të jetë demokratike dhe jo demokraturë, që të udhëheqë tregu i lirë dhe jo mafia, që njerëzit të gëzojnë frytet e këtij sistemi, e kësaj natyre të mrekullueshme.
PD mbas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 2025.
Le të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me besim, angazhim dhe përgjegjësi të plotë për misionin tonë. Kauza jonë euroatlantiste, e mbështetur qartë dhe pa hezitim nga aleatët perëndimorë, do të fitojë. Do të fitojë se përfaqëson të mirën, do të fitojë se përfaqëson aspiratat perëndimore të shqiptarëve, do të fitojë se është në anën e duhur të historisë.
Zgjidhni Partinë Demokratike! Zgjidhni të Ardhmen! Zgjidhni Eriseldën!” tha Alibeaj