Vendosni fjalën kyçe....

Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar, më i larti në Evropën Perëndimore


Britania ka tani normën më të lartë të inflacionit të çmimeve të konsumit në Evropën Perëndimore, pasi ajo ra me më pak se sa pritej në mars në 10.1% nga 10.4% e shkurtit, treguan të dhënat zyrtare të mërkurën.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar se norma vjetore do zbriste në 9.8% në mars, duke u larguar më tej nga niveli më i lartë 41-vjeçar i tetorit prej 11.1%. Pavarësisht rënies në mars, norma e inflacionit të Britanisë ishte më e larta në Evropën Perëndimore dhe i vetmi vend në rajon që postoi një numër dyshifror për muajin e kaluar, pasi Austria regjistroi një normë më të lartë inflacioni në shkurt.

Të dhënat ka të ngjarë të forcojnë bastet se Banka e Anglisë do rrisë përsëri normat e interesit muajin e ardhshëm pasi inflacioni bazë – i cili heq çmimet e paqëndrueshme të energjisë dhe ushqimeve – nuk ra siç pritej në mars dhe në vend të kësaj u mbajt në 6.2%.

“Këto shifra riafirmojnë saktësisht pse ne duhet të vazhdojmë me përpjekjet tona për të ulur inflacionin në mënyrë që të mund të lehtësojmë presionin mbi familjet dhe bizneset,” tha ministri i Financave Jeremy Hunt.

Zyra për Statistikat Kombëtare tha se çmimi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rrit me 19.1% në terma vjetorë në mars – rritja më e madhe e tillë që nga gushti 1977.

Muajin e kaluar Banka e Anglisë (BoE) tha se priste që inflacioni ‘të bjerë ndjeshëm’ në tremujorin e dytë.

“Një rritje tjetër e normës prej 25 pikë bazë duket shumë e mundshme në maj dhe Banka duhet të jetë e gatshme për të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse të dhënat ekonomike nuk tregojnë shenja më përfundimtare të ftohjes,” tha Hugh Gimber, strateg i tregut global në J.P. Morgan Asset Management.

Ndërsa inflacioni ka të ngjarë të bjerë natyrshëm pasi rritjet e mprehta të çmimeve të energjisë që u panë vitin e kaluar janë jashtë krahasimit vjetor, BoE po përpiqet të gjykojë se sa shpejt do bjerë ai.

Treguesit e tjerë janë dukur të përzier në këtë front, me të dhënat e së martës që tregojnë rritje më të fortë të pagave se sa pritej. Anketat e biznesit megjithatë tregojnë koston e ftohjes dhe presionin e çmimit të shitjes.

Tregjet financiare të martën treguan një mundësi prej 95% që BoE të rrisë normat e interesit muajin e ardhshëm, nga 85% të martën.