Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka dhe Holanda do i japin Ukrainës tanke “Leopard 2”


Danimarka dhe Holanda njoftuan planet për të furnizuar Ukrainën me të paktën 14 tanke luftarake “Leopard 2” të rinovuar të prodhimit gjerman deri në fillim të vitit 2024.

Në një deklaratë të përbashkët të Ministrive të Jashtme të të dy vendeve thuhet se kostoja prej rreth 165 milionë euro për “blerjen, rinovimin dhe dhurimin e përbashkët” të tankeve luftarake “Leopard 2” do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy vendeve të NATO-s.

“Në këtë mënyrë ne do të marrim pjesë së bashku në koalicionin ‘Leopard 2’ të mbështetur nga shumë partnerë dhe aleatë”, thuhet në deklaratë.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Lökke Rasmussen e përshkroi mbështetjen e 14 tankeve luftarake “Leopard 2” si një “dhurim të rëndësishëm”, përveç “sigurimit të të paktën 100 tankeve ‘Leopard 1A5’ për Ukrainën” të shpallur nga Danimarka, Holanda dhe Gjermania në shkurt.

Zëvendësministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen tha se tanket nuk i përkasin vendit të tij dhe janë blerë në bashkëpunim me Holandën.

Poulsen tha se Danimarka aktualisht ka tanke “Leopard 2A7” të modelit të ndryshëm dhe më të reja nga ato që ka dhuruar.

Gjermania njoftoi më janar se 14 tanke “Leopard 2” nga rezervat ekzistuese të ushtrisë do të dërgohen në Ukrainë.