Vendosni fjalën kyçe....

Ermonela Jaho: Jam e ngarkuar ndaj do flas, erdha të jap mësim po s’pashë asnjë student a pedagog në sallë (Video)


Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho, e cila ndodhet në vend për t’u dhënë mësim artistëve të rinj në Teatrin  e Operas, është shprehur tejet e zhgënjyer pasi u përball me një sallë thuajse të zbrazur dhe ku nuk kishte asnjë pedagog apo fytyrë të njohur.

Në një konferencë shtypi ajo tha se nuk ka ardhur në Shqipëri për të luftuar askënd dhe se është zhgënjyer nga ajo me të cilën është përballur.

“Po e mbaj e po e mbaj por po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që ky është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët.” – tha Jaho.

 

Ajo theksoi më tej se shkëmbimi i përvojës është i domosdoshëm ndërsa tregon edhe sakrificën me të cilën i është dashur të përballet gjatë karrierës së saj për të fituar përvojën të cilën kërkon ta ndajë me artistët në Shqipëri.

“Nuk është personale. Unë vij këtu me një dashuri të pakushtëzuar sepse vë veten në vendin e këtyre artistëve. Dhe t’u jepet një shpresë sepse është e trishtë kur dëgjon që kanë studiuar 10 apo 15 vite dhe nuk janë të konkurrueshëm me botën. Shkolla jonë të jep diçka mua më ka dhënë diçka, më vonë unë e kam mësuar me luftë e me torturë, me një sakrificë të madhe kam dalë jashtë ta marr dhe këtë përvojë është detyrimi ynë si artistë ta sjellim këtu. Sepse kemi talente e zëra të bukur, por nuk kanë disiplinë e nuk janë të konkurueshëm. Të paktën të dish e të jesh në gjendje teknike të këndosh një opera 3 orëshe. I shikoja se vinin me frikën se mos thoshin gjë pedagogët. Ua them me shpirt. Nuk kam ardhur këtu për të kritikuar njëri-tjetrin. Unë vë gurin tim. Më jep dhe ti një gur tëndin të ndërtojmë diçka.” – shtoi sopranoja.