Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se mashtronin shtetas të huaj përmes telefonit, arrestohen 3 persona


Policia ka arrestuar 3 persona pasi dyshohet se mashtronin shtetas të huaj përmes telefonit për të investuar në bursa fiktive.

Në prangat e policisë ra 1 shtetas i cili kishte mashtruar 2 të arrestuarit, me qëllim përftimin monetar, duke iu premtuar se do t’i mbronte nga Policia.

Sekuestrohen njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.

Specialistët e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me AMP-në Rajonale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last call”.

Si rezultat i këtij operacioni arrestuan në flagrancë shtetasit:

– E. S., 34 vjeç, F. Q., 23 vjeç, dhe M. K., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit E. S., F. Q. dhe E. R., ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi M. K., me anë të mashtrimit për përfitime monetare, iu kishte premtuar 2 të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.