Vendosni fjalën kyçe....

Përfaqësuesi i Bankës Botërore: Jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria


Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas,  tha sot se çështja e amnistisë fiskale që është propozuar nga qeveria shqiptare duhet parë më gjerë.

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Rama, ai tha se çështja në fjalë ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale të vendit ndërsa pohoi se Banka Botërore po punon ngushtësisht me Shqipërinë për këtë çështje.

“Ne po punojmë ngushtë me Ministrinë e Financave. Ne duhet ta shohim tablonë më të gjerë dhe kjo ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale të vendit. Në Shqipëri janë bërë shumë përpjekje. Bashkëpunimi që kemi pasur me Ministrinë e Financave ka qenë produktiv, por kërkon ta shohë këtë tablo më gjerë. Kemi parë përpjekje që kanë dhënë rezultat. Shqipëria nga goditjet që ka pësuar ka dalë me një mënyrë më pak të dhimbshme se vendet e tjera në rajon. Duhet të shohim në mënyrë konstante tablonë më të gjerë. Ne shprehim sugjerimet, këshillat tona dhe më pas punojmë se bashku me autoritetet.” – tha Salinas.

Ai tha më tej gjithashtu se Banka Botërore është e shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria.

“Jemi zotuar për më shumë vende punë sidomos për rininë. Ne e vendosim theksin tek më e mira dhe kjo është sfida jonë. Gjithashtu me rëndësi është edhe kapitali njerëzor. Jemi të shqetësuar për numrin e personave që largohen nga Shqipëria, por bashkë mendojmë se mund të krijojmë përmirësime të mbrojtjes sociale, shëndetësinë apo edhe për rindërtimin e spitaleve. Çështja e emigracionit është komplekse, po pagat janë një pjesë e rëndësishme. Po kështu kur flasim me njerëzit sidomos të rinjtë, nuk është vetëm çështja e pagave, por çështja për të pasur jo vetëm një punë të mirë, por edhe një punë për të krijuar perspektive. Sa për emigracionin duhet të mundësojmë sektorin privat për të qenë më aktiv në vend. Ka më shumë potencial për të sjellë në vend investime e mundësi.” – shtoi ai.