Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama bllokoi komisionin për çështjen ‘Mcgonigal’, s’do heqim dorë


Sali Berisha denoncoi socialistët për bllokimin e komisionit hetimor të kërkuar nga opozita për çështjen ‘McGonigal’.

Gjatë një takimi me deputetët e Rithemelimit, ai tha se çështja në fjalë nxjerr përditë fakte e dëshmi të reja duke akuzuar kryeministrin se bashkë me Oleg Deripaskën janë faktorët kryesorë të korruptimit të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

“Përsëri vazhdon bllokimi i komisionit hetimor për aferën Rama-McGonigal. Kjo është një aferë që kundërmon dhe dalin vazhdimisht fakte dhe dëshmi të reja. Edi Rama, së bashku me Oleg Deripaskën, është faktor kryesor i korruptimit të shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Edi Rama ka kryer një seri aktesh të dënueshme, qoftë në ligjet e SHBA-së, qoftë në ato të Shqipërisë. Afera McGonigal është Uotergejti i këtij shekulli. Edi Rama kontraktoi kryezbuluesin e SHBA si vrasës me pagesë të opozitës shqiptare. Edi Rama, ka shumë të dhëna se u bë pjesë e ekipit gjobëvënës të McGonigal. Muk ka asnjë vend tjetër në botë në të cilën drejtësia të mos thotë asnjë fjalë, megjithë denoncimeve publike të dy biznesmenëve të njohur.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej se Rama është përzier në gjobëvënie që arrijnë deri në 50 milionë euro dhe se ai do përballet me drejtësinë njësoj si McGonigal në SHBA.

“Drejtësia është në vorbullën e aferës McGonigal. Sepse nuk mund të kuptohet që këta gjobëvënës, këta plaçkitës, qarkullojnë të lirë me avionë dhe helikoptera, në një kohë kur vendi i tyre është aty ku e kanë vendin të gjithë gjobëvënësit. Por ata këtë sistem e kishin vendosur me miratim të Edi Ramës. Ne nuk heqim dorë nga funksioni ynë kushtetues i kontrollit të ekzekutivit dhe institucioneve në përputhje me ligjet. Edi Rama ka shkelur të gjitha ligjet e vendit. Ai është i implikuar në gjobëvënie që thuhet se arrin deri në 50 milionë euro. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Edi Rama e ka vendin aty ku e ka McGonigal sot. Nuk mund të shpëtojë nga drejtësia, ndaj dhe ne do insistojmë në ngritjen e komisioneve.” – shtoi ai.