Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Bërxullës protestojnë para Hipotekës: Të verifikohen titujt e pronësisë, s’do e lëmë rrugën të bëhet


Banorët e Bërxullës kanë  shkuar sot para Hipotekës në protestën e tyre kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar që vijon prej disa javësh.

Banorët i kanë kërkuar Hipotekës që të verifikojë titujt e tyre të pronësisë ndërsa kanë përsëritur se nuk do lejojnë që të kryhen punime deri në vlerësimin e duhur të pronës.

“Prej disa kohësh titujt e pronësisë tona qëndrojnë në sirtarë dhe nuk na i japin. Më vjen një përgjigje dhe ku thuhet; se ju nuk mund ta merrni pronësinë, pasi shtëpia nuk ka çati. I bëj thirrje drejtorit të ri të Hipotekës, dhe zonjës Dallëndyshe që të vihen në lëvizje. Që të zhvillohet rruga pa na dhënë neve titujt e certifikatës së pronësisë, s’do bëhet. Ne rrugën nuk do e lëmë të zhvillohet, sikur të na zhdukin të gjithëve. Po na soset durimi. Mirë që nuk kanë marrë asnjë masë për të nisur dëmshpërblimet e banesave, dhe të akomodoheshin diku, por s’kemi as titujt e pronësisë. Për ne ka kosto të madhe, është dhe dëm ekonomik. Po t’i punojmë tokat, nesër do vijnë ta na i prishin. Se dimë se ku do të përfundojmë nesër.” – tha një prej banorëve.

Banorët e Bërxullës protestojnë prej muajsh kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar duke kërkuar shpronësim me vlerën e tregut.

Ata kanë zhvilluar disa protesta para kryeministrisë ndërsa prej kohësh protestojnë thuajse çdo ditë në rrugën pranë zonës së projektit.

Banorët kanë paralajmëruar me përshkallëzim të protestës nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.