Vendosni fjalën kyçe....

MANUAL I GATSHËM – Si të sulmosh Top Channel-in me axhendë biznesi



Breshëritë kriminale mbi fasadën e Top Channel, të cilat morën aksidentalisht dhe një jetë të pafajshme, duket se nuk kanë bërë askënd të reflektojë.

Ky televizion i cili prej 5 vitesh gjendet në një luftë raskapitëse mes ish-aksionarëve dhe ortakëve, në këtë hark kohor ka shkaktuar skepticizëm, ka bërë gabime dhe ka humbur reputacionin e dikurshëm.

Një luftë e ashpër që përfshiu një gamë të gjerë interesash, përfshirë dhe inceneratorët, oligarkë në prapavijë, interesa, financime, lidhje, skema, Ahmetajn, SPAK-un etj.

Mirëpo breshëritë mbi fasadë janë një vijë e kuqe, ku normalisht do duhet pakëz reflektim mbi atë që po ndodh dhe një minimum etike mbi mënyrën se si po sillemi ndaj këtij televizioni.

Ky nuk është rasti i parë kur pronari i një televizioni të madh gjendet në agoni për shkak të problemeve me ortakët ose ish-ortakët.

Ka ndodhur dhe në vitin 2006 kjo histori me TV-Klanin dhe SAT-Plus , ku ortakët Frangaj dhe Skëndo  u përfshinë në një konflikt të fortë mes tyre, një konflikt ku qeveria e kohës e drejtuar nga Berisha i doli në krahë fraksionit të Frangajt dhe e mbështeti atë në mënyrë energjike.

Ky është ndoshta dhe rasti unik kur një qeveri ndërhyn me polici dhe pengon përmbarimin gjyqësor të kryejë detyrën.

Mirëpo asokohe askush nuk u përzie në punët e brendshme të dy aksionerëve Skëndo-Frangaj, madje askush nuk dënoi  dhe as guxon ta kujtojë sot Frangajn se si ai me mbështetje të pastër qeveritare dhe policore e zbythi ish-ortakun e vet.

Ndërsa me Top Channel ndodh ndryshe, punët dhe konfliktet e këtij televizioni kalohen në lupë çdo natë, madje pikërisht dhe natën kur ndaj fasadës së Top Channel janë derdhur breshëri kallashnikovi.

I tillë ishte fjala vjen dhe emisioni i mbrëmshëm në Syri Televizion ku u shqyrtua në detaje një kontratë (e revokuar) që familja Hoxha kishte lidhur me një kompani offshore për shitjen e Top Channel.

Në këtë emision te Syri TV, kolegu Armand Shkullaku, i cili është drejtues i lartë në median Klan të Frangajt, e cilësonte si tepër me rëndësi që të zbulohej se çfarë ndodhte me interesat e televizionit Top Channel, pasi siç ai u shpreh, nuk bëhej fjalë për një biznes të rëndomtë, por për një biznes me shumë ndikim.


“Ky televizion kombëtar i cili ka frekuenca publike në përdorim, shet aksionet ose tenton ti shesë, ka një çështje gjyqësore etj etj, shteti duhet të jetë tepër i vëmendshëm sepse këtu nuk bëhet fjalë për një biznes makaronash, pra e ka Mandi ja shiti Çimit, këtu bëhet fjalë për një biznes që ka ndikim të jashtëzakonshëm. Prandaj ka ligj të veçantë për mediat kudo në botë”, –
u shpreh zoti Shkullaku.

Analiza e tij është tepër e saktë, mirëpo pozicioni i tij duket i çuditshëm.

Sepse në këtë pikë, vlen të bëhen disa pyetje:

-A ka mbajtur zoti Shkullaku të njëjtin qëndrim dhe në rastin e konfliktit Frangaj-Skëndo në 2006-ën kur të njëjtat halle që ka sot Vjollca Hoxha, asokohe i kishte Frangaj?

-Nëse flasim për frekuenca kombëtare a duhet që shqyrtimi i këtij problemi nga zotërinjtë Peka dhe Shkullaku, të përfshijnë gamën e të gjithë precedentëve, pra dhe kur Edi Rama dyshohet se favorizon Vjollca Hoxhën me gjykatë por edhe kur ish-kryeministri Berisha i çonte policinë dhe bllokonte përmbarimin për të favorizuar Frangajn në dëm të Skëndos?

-Nëse këtë standard ndërhyrje brutale të politikës në punët e brendshme të aksionerëve privatë ti e toleron te Frangaj, atëherë pse nuk e toleroke dot dhe te Vjollca Hoxha?

Për më tepër, që evidencat mbi këto probleme i ka përforcuar me qëndrimet e veta publike dhe antikonformiste dhe bashkë-editori i Shkullakut në Lapsi.al, gazetari Andi Bushati.

Në vitin 2015 kur Andi Bushati denoncoi publikisht favorizimin e Frangajt me ndërtimet turistike në resortin “Laguna Blu” në një intervistë të dhënë asokohe (lexoje këtu) Bushati deklaronte hapur zaptimin që Frangaj i kishte bërë aksioneve të Marsel Skëndos në TV-Klan me ndihmën e qeverisë së kohës.

Shprehej Bushati asokohe:

“Në një farë mënyre në atë komunitet (resorti Laguna Blu) në jemi bashkëpronarë me Frangajn dhe po pësojmë fatin e bashkëpronarëve të tij të mëparshëm si Nikollë Lesi te Koha Jonë dhe Marsel Skëndo e Julien Roche te TV KLAN”, – shprehej Bushati.

Thënë dhe kjo, bëhet e qartë se të gjithë janë të kthjellët që ndërhyrja dhe favorizimi qeveritar ka ndodhur dhe në rastin e TV Klan dhe në rastin e Top Channel, por i vetmi ndryshim është se për Frangajn ka guxuar të flasë publikisht dhe pa dorashka vetëm Andi Bushati, ndërsa për rastin e Top Channel është angazhuar një batarre e tërë mediatike që i bën gjyqe publike çdo javë problemeve që ky televizion ka me palët aksionere.

Nëse këtë paradoks do e vendosnim dhe në kontekstin e interesave të inceneratorëve, apo dhe në kontekstin e ri që zbuloi implikimi i dyshuar i Arben Ahmetajt me klane të fuqishmë opozitare dhe segmente të gjyqësorit, atëherë a kemi të drejtë të besojmë se një Klan tepër i fuqishëm në prapavijë, është duke investuar me axhendë të qartë shkatërrimin e Top Channel dhe grupit që mbështet Vjollca Hoxhën?

A nuk duket e gjitha kjo si një manual i gatshëm se si sulmohet me regji dhe skenar të koordinuar një biznes rival, një televizion rival? / Hashtag.al