Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada amerikane e OSBE dënojnë të shtënat ndaj Top Channel: Sulmi ndaj medias, sulm ndaj demokracisë, të zbardhet ngjarja


Ambasada amerikane dhe OSBE-ja kanë dënuar të shtënat me armë ndaj godinës së Top Channel mëngjesin e sotëm, që i kushtuan jetën rojes, 60-vjeçarit Pal Kola.

Ambasada amerikane dënon sulmin vdekjeprurës dhe u bën thirrje organeve të rendit që të hetojnë ngjarjen e të vënë  para drejtësisë autorët.

“Ambasada e SHBA në Tiranë dënon ashpër sulmin vdekjeprurës në Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. I bëjmë thirrje organeve të rendit të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës që do të sjellë para drejtësisë autorët.” – thuhet në reagimin e ambasadës.

Sulmi u dënuar edhe nga OSBE, e  cila në një reagim shkruan se sulmi flagrant ndaj medias është sulm ndaj demokracisë.

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.” – thuhet në reagimin e OSBE-së.