Vendosni fjalën kyçe....

Qëllohet me armë drejt Top Channel, vritet roja i godinës. Gjendet një mjet i djegur në Golem (Video)


Të shtëna me armë janë regjistruar rreth orës 1 pas mesnate në drejtim të godinës së Top Channel në Mëzez.

Nga të shtënat është vrarë roja i godinës, 60-vjeçari Pal Kola, ndërsa autorët janë ende të paidentifikuar.

Të shtënat kanë ndodhur në drejtim të hyrjes kryesore të godinës, që kufizohet me rrugën.

Pak më vonë, një mjet është gjetur duke u djegur në Golem të Kavajës, brenda të cilit policia ka gjetur dy automatik ‘kallashnikov’.

Mjeti ishte i tipit ‘Range Rover’ ndërsa rezulton se ishte me targa të vjedhura.

Njoftimi

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve). Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.”