Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja do ndërtojë baza të reja ushtarake pranë Detit të Kinës Jugore


Shtetet e Bashkuara do të ndërtojnë katër baza të reja ushtarake ‘të shpërndara’ nëpër Filipine, ka konfirmuar presidenti i vendit, Ferdinand Marcos Jr. Ai shtoi se të paktën një objekt do vendoset pranë një zinxhiri ishujsh të diskutueshëm të pretenduar nga Kina dhe disa vende të tjera.

Duke folur me gazetarët të mërkurën, udhëheqësi filipinas ofroi hollësi shtesë rreth instalimeve të reja, të cilat u zbuluan për herë të parë muajin e kaluar si pjesë e marrëveshjes së mbrojtjes (EDCA) me Uashingtonin. Megjithatë, ai tha se nuk mund të zbulojë vendndodhjen e tyre të saktë derisa të bëhet një njoftim zyrtar së bashku me SHBA-në.

“Ka katër vende shtesë të shpërndara rreth Filipineve, ka disa në veri, ka disa rreth Palawan, ka disa më në jug,” tha ai, duke shtuar se bazat do ndihmonin për të mbrojtur ishullin më të madh të vendit, Luzon.

Palaëan është një nga rajonet më perëndimore të Filipineve dhe ndodhet rreth 200 milje (320 kilometra) në lindje të arkipelagut të diskutueshëm Spratly në Detin e Kinës Jugore, i cili njihet edhe me disa emra të tjerë. Gjashtë vende kanë pretenduar për pjesë të zinxhirit të ishujve të vegjël, mes tyre Kina, Tajvani, Vietnami, Malajzia, Brunei si dhe Filipinet, megjithëse zyrtarët amerikanë i kanë hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet e Pekinit si ‘të paligjshme’.

Bazat amerikane në Luzon, ndërkohë, ka të ngjarë të ndërtohen duke pasur parasysh Tajvanin e afërsinë e tij me ishullin vetëqeverisës, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj sovran. Megjithëse Uashingtoni kishte mbajtur për një kohë të gjatë një politikë ‘paqartësie strategjike’ ndaj Taipeit, Presidenti Joe Biden e ka thyer këtë qasje, duke deklaruar në mënyrë të qartë se forcat amerikane do të vinin në mbrojtje të Tajvanit në rast të një sulmi kinez.

I pyetur në lidhje me planet për bazat e reja gjatë një konference shtypi të mërkurën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin argumentoi se bashkëpunimi ushtarak midis vendeve duhet të jetë ‘i favorshëm për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe të mos synojë ose të dëmtojë interesat e ndonjë pale të tretë’.

Presidenti Marcos vazhdoi të paralajmërojë për një mjedis sigurie ‘të ndërlikuar’ dhe ‘të paparashikueshëm’ në rajon, duke thënë se ai ishte i vetëdijshëm për një ‘kërcënim në zhvillim’ që do kërkonte ‘rregullime në strategjinë tonë’ pa e  sqaruar më tej.

Sipas EDCA të vitit 2014, SHBA-së fillimisht iu lejua të ndërtonte pesë baza ushtarake rreth Filipineve, por pakti u zgjerua kohët e fundit në katër vende shtesë ‘strategjike’. Uashingtoni deri më tani ka shpenzuar 82 milionë dollarë për pesë objektet e para dhe vazhdon të punojë në bazat që do presin dislokime të trupave të rradhës.