Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Nuk mund t’i shmangemi traktateve ndërkombëtare, Asociacion brenda prizmit të Kushtetutës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë-Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara.

Kështu deklaroi ai gjatë raportimit të enjten në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për të cilën të dyja vendet arritën pajtim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Brenda kësaj marrëveshjeje specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën.

Kjo përfshin edhe themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilën u arrit në vitin 2013 dhe u specifikua në vitin 2015.

Kjo marrëveshje që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë.

“Aleatët tanë na kujtojnë që marrëveshjet janë arritur në mes qeverive të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim”, tha ai.

Kurti ritheksoi se do të angazhohet që nuk do të ketë një pushtet ekzekutiv në mes të nivelit qendror e lokal në Kosovë, përmes këtij asociacioni.

“Çdo gjë do ta konsiderojmë nga prizmi i Kushtetutës sonë, i ligjshmërisë sonë”, tha ai.

Kurti e ka quajtur këtë marrëveshje “tekstin më të mirë që ka mundur të arrihet tani për tani”.

“Ia vlen mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme”, tha ai.

Kurti, megjithatë, tha se nuk pret që rruga përpara për zbatimin e kësaj marrëveshjeje do të jetë e lehtë.

“Do të ketë shumë kurthe e ndërskamca. Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur, përfshirë injorimin haptas të marrëveshjes, anulimin e interpretimin e riinterpretimin e asaj për të cilën tashmë kemi rënë dakord”, tha Kurti.