Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, Gjukanoviç e Milatoviç do përballen në balotazh në raundin e dytë


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, do përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish-ministrin e Ekonomisë Jakov Milatoviç, duke qenë se asnjëri prej tyre nuk mundi të sigurojë shumicën e mjaftueshme në zgjedhjet e së dielës.

Në rezultatet paraprake, presidenti në fuqi e kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç, ka fituar numrin më të madh të votave, përkatësisht, 35.4 për qind ndërsa kandidati i Lëvizjes Qytetare ‘Evropa Tani’, Jakov Milatoviç, fitoi 29.3 për qind.

Kandidati i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Andrija Mandiç siguroi 19.1 për qind të votave.

Katër kandidatët tjerë morën prej 10.9 deri 0.8 për qind të votave.

Sipas raporteve të vëzhguesve dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dita e zgjedhjeve kaloi relativisht e qetë, pa ndonjë parregullsi të theksuar që do mund të prishte procesin zgjedhor.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve që do mbahet pas 14 ditësh, me 2 prill, konkurrojnë dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë, por kësaj radhe zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në një mjedis krize institucionale dhe politike, shkruan VOA.

Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike.

Që nga viti 2020, nuk ka pasur përparim në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të arritjeve të pamjaftueshme në procesin e reformës.

Vendi i vogël buzë Adriatikut u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016 për të cilin qeveria fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla.