Vendosni fjalën kyçe....

Britania do u çojë mesazh alarmues ‘me zë të lartë’ çdo telefoni në vend


Përdoruesit e telefonave celularë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar do të marrin një mesazh alarmi me zë të lartë muajin e ardhshëm ndërsa qeveria teston një sistem paralajmërimi emergjent.

Sinjalizimet do të tingëllojnë edhe nëse telefonat janë në modalitetin pa zile dhe përdoruesit nuk do të jenë në gjendje të përdorin pajisjet e tyre derisa të pranojnë mesazhin paralajmërues.

I përshkruar nga qeveria si ‘shpëtues i jetës’, sistemi i alarmeve emergjente u prezantua të dielën dhe do testohet në mbarë vendin në mbrëmjen e hershme të 23 prillit. Sinjalizimi i testimit do bëjë që çdo telefon i lidhur me një rrjet celular 4G ose 5G të vibrojë dhe do shoqërohet nga ‘një tingull i fortë si sirena’ deri në dhjetë sekonda.

Një mesazh paralajmërues do qëndrojë më pas në ekranin e telefonit, duke parandaluar përdorimin normal derisa të pranohet.

Pas testit, mesazhet e vërteta paralajmëruese do përqendrohen në incidente të rënda të motit, si përmbytjet ose zjarret. Megjithatë, BBC raportoi se alarmet terroriste mund të transmetohen gjithashtu në të ardhmen.

Sisteme të ngjashme janë tashmë në përdorim në SHBA, Kanada, Japoni e Holandë.

“Do revolucionarizojë aftësinë tonë për të paralajmëruar dhe informuar njerëzit që janë në rrezik të menjëhershëm dhe do të ndihmojë t’i mbajmë njerëzit të sigurt,” tha në një deklaratë deputeti Oliver Dowden.

“Siç e kemi parë në SHBA dhe gjetkë, zhurma e një telefoni mund të shpëtojë një jetë.”

Megjithatë, ata që nuk duan që mbrëmja e tyre e së dielës të ndërpritet nga një mesazhi alarmues, mund të çaktivizojnë alarmet e urgjencës në menynë e cilësimeve të telefonit të tyre.