Vendosni fjalën kyçe....

PD reagon pas burgosjes së nënës lehonë në Shkodër: Gjykata ta lirojë menjëherë, shteti i pamëshirshëm ndaj të dobëtit dhe lepur me të fortin


Partia Demokratike ka reaguar kundër arrestimit të një nëne lehonë vetëm 7 ditë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj.

Diana Bahçe u arrestua pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës që e dënonte me 250 mijë lekë shumë e cila u konvertua në heqje lirie prej 1 muaji e 20 ditë.

PD-ja thotë se nga veprimi i gjykatës dhe policisë shihet dora e një shteti që është i pamëshirshëm dhe katil me të dobëtit dhe lepur me të fortin.

Partia Demokratike bëri thirrje për lirimin nga Gjykata të nënës lehonë për të qenë pranë foshnjës së saj.

Deklarata e plotë:

Policia e Shkodrës ka thyer një rekord këto ditë. Uniformat blu kanë shkuar me furgon, armë dhe pranga në fshatin Drisht të Postribës dhe ka bërë një arrestim, si në kohërat më të egra të diktaturës. Ato shoqëruan në qelitë e burgut Diana Bahçen, një grua të re, vetëm 7 ditë pasi kishte sjellë në jetë një fëmijë.

Gruaja-lehonë është arrestuar dhe burgosur pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, që e dënonte me 250 mijë lekë, shumë të cilën ia ka konvertuar në heqje lirie prej 1 muaji e 20 ditësh.

Foshnjës 7 ditëshe i duhet të presë edhe rreth 2 muaj të tjerë që të ketë pranë nënën.

Nuk kërkohet logjikë dhe as njohuri në mjekësi për të kuptuar padrejtësinë e dyfishtë të gjykatës dhe policisë ndaj nënës dhe foshnjës. Shkenca e mjekësisë na provon përhapjen e atyre që njihen si “trauma e passlindjes”, dhe rasti i nënës së re nga Drishti, klasifikohet si traumë e dyfishtë.

Përvec sjelljes barbare, pa marrë parasaysh ato që në jurisprudencë njihen si ‘rrethana lehtësuese’, në këtë rast shohim edhe njëherë dorën e verbër të një shteti që është i pamëshirshëm dhe katil me të dobëtit dhe lepur me të fortin.

Të mos harrojmë se në Shkodër janë më të fuqishëm kapot e bandave, se deputetët dhe ministrat. Janë këta të fundit që e monitorojnë policinë me kamera, në vend që të ndodhte e kundërta. Janë ata që lëvizin të lirë, vendosin taksat ndaj bizneseve, e me radhë. Policia dhe strukturat shtetërore të Edi Ramës rrinë e shohin, ose bëhen pjesë në ndarjen e plaçkës.

E kundërta ndodh kur nuhasin pafuqinë e të dobëtit. Policia dhe gjykata e narkoshtetit, papritur bëhen gardianë të rreptë të presjes dhjetore të ligjit dhe nuk të falin.

A është marrë parasysh rrethana lehtësuese e një lehone kur u arrestua Diana Bahçja? A ka patur psikolog, si në shoqërimin në qeli, por edhe më pas për nënën-lehonë?

A kanë shkuar në familjen Bahçja, ku i shoqi Naimi po kujdeset për një foshnjë disa ditëshe, punonjësit socialë? Këto janë pyetjet që administrata e një shteti serioz, që përkujdeset për qytetarët, dhe nuk i përndjek ata, duhet t’u japë përgjigje.

Partia Demokratike i bën thirrje gjykatës që të lirojë menjëherë nënën e re, në mënyrë që ajo të mund të ushqejë dhe të kujdeset për foshnjën e sapolindur. Bërja e drejtësisë nëpërmjet një padrejtësie më të madhe është një krim i vërtetë.