Vendosni fjalën kyçe....

Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Asociacion, Vuçiç: Një marrëzi, nuk ka lidhje me reciprocitetin


Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një vizite në Bujanoc të Luginës së Preshevës, komentoi kërkesën e shqiptarëve për të pasur një asociacion të komunave me shumicë popullsie shqiptare.

Ai e quajti kërkesën një marrëzi, pavarësisht se të njëjtën gjë e ka kërkuar në Bruksel për komunat me shumicë serbe në Kosvoë, duke treguar hapatas qëndrimin e tij me dy standarte të ndryshme për situatë të ngjashme.

“Asociacioni i Komunave Shqiptare në Serbi është marrëzi, jo reciprocitet. Këto janë marrëzi sa nuk kam fjalë dhe këtë e them këtu, para shqiptarëve”, tha Vuçiç për median serbe ‘Novosoti’.

Gjatë vizitës së tij në Bujanoc, Vuçiç u ankua se komunat shqiptare po i investonin fondet më së shumti në mjediset shqiptare duke lënë pas dore banorët serbë dhe romë. Ai tha se në të ardhmen do të ndërtohen fabrika ku të gjithë entitetet mund të punojnë së bashku.

Nuk kam problem me askënd, të gjithë njerëzit janë të rëndësishëm për mua, por e kam problem që dikur ka qenë 60:40, befas kalon në 85:15 për sa i përket investimeve. Dhe tani që komuna investon kaq shumë në komunitetet shqiptare, ne “do të investojmë më shumë në fabrikat serbe. Do të ndërtojmë fabrika dhe në ato fabrika do të punojnë të gjithë – serbët, shqiptarët dhe romët. Koha e urrejtjes ka mbaruar, është koha të bashkëpunojmë dhe të punojmë së bashku”, tha Vuçiç.

Në 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Vuçiç pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sa i takon përpjekjes për arritjen e një marrëveshje që do të shënojë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Deri më tani, mësohet se të dy janë dakordësuar me planin evropian, pavarësisht se nuk kanë nënshkruar një marrëveshje konkrete.