Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja dhe BE-ja “shtrëngojnë lakun” rreth Kosovës dhe Serbisë


 

Këmbëngulja aktuale e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, është më e madhja prej se palët kanë nisur bisedimet për këtë qëllim në vitin 2011, thotë njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi.

Me këtë vlerësim pajtohet edhe eksperti i politikës rajonale nga Serbia, Aleksandar Popov, i cili thotë se Prishtina dhe Beogradi “kanë luajtur shumë për t’iu shmangur obligimeve që i kanë marrë”.

Dy vendet janë pajtuar në parim për tekstin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por, tani, do të duhej të pasonte hartimi i udhërrëfyesit për zbatimin e tij. Kjo është edhe arsyeja e një takimi të paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, ditëve të fundit, në opinion dolën deklarata kontradiktore të palëve.

Kurti tha se është i gatshëm për ta nënshkruar propozimin e evropian, ndërsa Vuçiq tha se nuk do ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Deklaratat nënkuptojnë ndryshim qëndrimesh, marrë parasysh se Vuçiq ka thënë më herët se është i gatshëm të punojë për zbatimin e këtij plani, ndërsa Kurti e ka konsideruar atë si “bazë të mirë për vazhdimin e dialogut”.

Propozimi i BE-së, mes tjerash, kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se nuk pret ndonjë “ceremoni të nënshkrimit” të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve, më 18 mars në Ohër.

Pas vizitës në Prishtinë më 9 mars, Lajçak tha për një televizion në Kosovë se “pasi të finalizohet marrëveshja [propozimi i BE-së], do të dihet se si do të zbatohet në terren”.

A do të zbatohet propozimi evropian?

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit mund të jetë një “fazë përgatitore për afrimin e finalizimit të çështjes së Kosovës” dhe shpreh bindjen se BE-ja dhe SHBA-ja nuk do të lejojnë që “të pengohet ajo për të cilën është arritur pajtim”.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia, deri më tani, kanë arritur të “shmangin” zbatimin e marrëveshjeve, për shkak se nuk ka pasur një veprim të sinkronizuar mes SHBA-së dhe BE-së.

Ai thotë se diplomatët amerikanë po e paralajmërojnë Prishtinën dhe Beogradin më hapur dhe më drejtpërdrejt se mund të përballen me pasoja nëse nuk janë bashkëpunues lidhur me propozimin evropian./REL.