Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësja e Berishës: TEC-et lundruese në Vlorë kostojnë 90 mijë euro në ditë, pa prodhuar asnjë kilovatorë energji


 

Zëdhënësja e grupit të Berishës, Floriana Garo ka ngritur pyetjet se a po kthehen dy TEC-et lundruese në gjirin e Vlorës, si dy inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit që nuk punojnë.

Garo tha se kostoja e tyre është 90 mijë euro në ditë, por nuk kanë prodhuar asnjë kilovatorë energji elektrike.

Garo citoi fjalët e ministres Balluku kur tha se “Investitorët amerikanë kanë filluar ta ndiejnë Shqipërinë si vendin e tyre, edhe duke humbur para, se mund t’i çonin këto anije në Gjermani, por e kanë marrë personale ndihmën ndaj Shqipërisë”, duke vijuar me akuza edhe ndaj ambasadores Yuri Kim, që sipas Garos e e shiti këtë investim si ndihmë, jo kontratë biznesi.

 

Fjala e plotë e Garos

A po kthehen dy TEC-et lundruese në gjirin e Vlorës në dy inceneratorët, e Elbasanit dhe Fierit, që janë, por nuk punojnë?

Pas mbetjeve në Tiranë, incenerimi imagjinar i të cilave u kushton qytetarëve 80 mijë euro në ditë, po ndodh e njëta gjë me vjetërsirat që erdhën nga Bangladeshi dhe u ankoruan në një nga gjiret detarë më të bukur të Europës?

Sa për dijeni: kostoja e rrangallave të Ballukut te vendosura në Vlorë, për të na shpëtuar nga kriza energjetike, është 90 mijë euro në ditë, ndërkohë nuk kanë prodhuar asnjë kilovatore energji elektrike

Paratë paguhen një më një, por energji ata nuk prodhojnë.

Shqiptarëve, jo vetëm u duhet të paguajnë, por edhe të durojnë përqeshjen e ministrave të tyre.

“Investitorët amerikanë kanë filluar ta ndiejnë Shqipërinë si vendin e tyre, edhe duke humbur para, se mund t’i çonin këto anije në Gjermani, por e kanë marrë personale ndihmën ndaj Shqipërisë”, ishin fjalët e Belinda Ballukut.

Në krah të ministres në Vlorë ishte ambasadorja amerikane Kim, që gjithashtu e shiti këtë investim si ndihmë, jo kontratë biznesi.

Kontrata parasheh një pagesë prej 68 milion euro nga qeveria shqiptare vetëm për qiranë. Që do të thotë rreth 90 mijë euro në ditë

Dimri i parë iku dhe kriza e lajmëruar nga Rama nuk i ndezi TEC-et e Ballukut. Kësaj i thonë kontrata për të ndarë para me ministren që ka firmosur

Burime afër qeverisë njoftojnë se TEC-et e Belindes, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” duan kohë që të fillojnë të punojnë.

Arsyet burokratike janë disa, por fakti është një. Sipas ekspertëve ata nuk punojne se energjia në bursa është shumë më e lirë se sa kostoja e prodhimit të saj nga TEC –et, ndaj nuk kanë asnjë leverdi të vihen në punë. E njëjta sasi energjie që do të prodhonin TEC-et lundruese kushton shumë më pak e blerë në bursë.

Edi Rama thoshte për TEC-et se “nuk kanë ardhur këtu si rrënoja, por si rezultat i një pune të jashtëzakonshme diplomatike deri në nivelet më të larta”.

Kjo mund të jetë diplomaci e niveleve të larta, por edhe kostot për shqiptarët i ka të tejet të larta. Sa për termin “rrënoja”, e përdorur nga kryeministri, deri më tash ato nuk kanë shërbyer për asgjë më shumë se për të shëmtuar peisazhin dhe për vendpushim të pulëbardhave.

Partia Demokratike e ka theksuar se afera me dy TEC-et është një gjobë 90 mijë euroshe në ditë për shqiptarët.

Qeveria është përgjigjur me propagandë. Sa i takon SPAK, ai është kthyer vetë në një rrangallë që as punon dhe as flet.