Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson propozoi të atin për titullin ‘Kalorës’, ironizohet nga opozita: Qesharake në kulm


Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka ‘diskredituar sistemin e nderimeve’ në vend sipas një rivali politik, pasi ai thuhet se përfshiu emrin e babait të tij, Stanley Johnson, në një listë prej rreth 100 kandidatësh të mundshëm për të marrë titullin ‘Kalorës’.

Një raport i gazetës britanike The Times të hënën deklaroi se Johnson, i cili u zëvendësua si udhëheqës i Partisë Konservatore fillimisht nga Liz Truss dhe më vonë Rishi Sunak vitin e kaluar, shtoi babanë e tij në një listë të gjerë të kandidatëve për titullin ‘Kalorës’.

Kryeministrat në largim të Mbretërisë së Bashkuar tradicionalisht paraqesin lista të figurave të mundshme për të marrë nderimin kur të largohen nga detyra.

“Ideja që Boris Johnson po emëron babanë e tij për titullin ‘Kalorësi’, vetëm duke e thënë është mjaft qesharake.” – tha drejtuesi laburist Keir Starmer të hënën në radion LBC.

“Është klasike e një njeriu si Johnson. Mmendoj se publiku thjesht do të mendojë se kjo është absolutisht e papërshtatshme. Ideja e një ish-kryeministri që i jep nderime babait të tij, për çfarë?”

Sekretari i Shëndetësisë në hije i Laburistëve, Wes Streeting i tha BBC-së të hënën se Johnson ‘ka diskredituar sistemin e nderimeve, ka diskredituar zyrën e kryeministrit’.

Stanley Johnson është një ish politikan i Partisë Konservatore dhe gjithashtu ka shërbyer si anëtar i Parlamentit Evropian. Ai u denoncua nga dy gra në vitin 2021 se i kishte prekur ato në mënyrë të papërshtatshme, me Johnson duke thënë se ‘nuk mbante mend’ për një incident të supozuar në vitin 2003.

As Boris dhe as Stanley Johnson nuk kanë komentuar raportet për titullin e mundshëm të ‘Kalorësit’.

Vendimi për të konfirmuar ose mohuar rekomandimet e ‘Kalorësisë’ i takon kryeministrit Rishi Sunak. Zyra e Kryeministrit mësohet se ka shprehur shqetësime për madhësinë e listës së nominimeve të Johnson, si dhe për disa nga emrat e sugjeruar nga ish-kryeministri.