Kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar sot një denoncim lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë.
Berisha ka publikuar një foto dramatike, të cilën thotë se ia ka dërguar një qytetar, ku një i moshuar shfaqet i shtrirë përtokë me asnjë që të kujdeset për të.
“Gjendje katastrofë në urgjencën e QSUT-së!
Nuk ka shtetër dhe të sëmurët shtrihen në dysheme.
Shtrati shitet me 10 mijë lekë.
Shërbimi shëndetësor në ditën e tij më të zezë!
Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital!”- shkruan Berisha.
Sipas denoncimit, një grua është detyruar të paguajë nën dorë që të shtrihet në një krevat, të cilët mungojnë.
“Doktor mirëmëngjesi! Më erdhi sot në mëngjes. Denoncoje po munde…
Ky është një skandal që ka ndodhur dje pas dreke tek urgjenca e QSUT-së. Një punonjëseje të një fasonerie në Tiranë i ka rënë të fikët në orarin e punës brenda në një fasoneri ku lagështira dhe temperaturat arrijnë 36-38 gradë. Në urgjencën e QSUT-së njerëzit janë të shtrirë në dysheme, mungojnë shtretër, mungon personeli, mungojnë ilaçe e çdo gjë. Kjo vajza ka paguar 10 mijë Lekë të vjetra për ta shtrirë në atë krevat që duket në fotot që më dërgoi.”- thuhet në denoncim.