Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Konflikti në Ukrainë mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore, po u rizgjodha e ndal për 24 orë


Presidenti Joe Biden po i çon Shtetet e Bashkuara ‘në harresë’, tha Donald Trump në Konferencën e Veprimit Politik Konservator në Maryland. Ish-presidenti premtoi se do ndalonte shpenzimin e parave të taksapaguesve amerikanë në luftërat e huaja ‘idiote’ ndërsa ai kërkon mbështetjen për një rikthim të mundshëm politik në 2024.

“Unë isha i vetmi president në dekada që nuk pata luftë,” tha Trump në fjalimin e tij gati dy orësh në mbledhjen vjetore konservatore në Gaylord National Resort, duke pretenduar se nëse ai do ishte në detyrë tani, ‘Ukraina do kishte qenë e lulëzuar, nuk do të kishte njerëz të vdekur, asnjë qytet të fshirë nga faqja e dheut që nuk mund të rindërtohej kurrë’.

Muajin e kaluar, Trump premtoi se do telefononte menjëherë Moskën dhe Kievin, nëse rizgjidhet, duke këmbëngulur se ai e di saktësisht se çfarë t’i thotë presidentit rus Putin dhe udhëheqësit ukrainas Zelensky për të ndaluar konfliktin.

“Unë e di se çfarë të them,” përsëriti ai të shtunën.

“Përpara se të mbërrij në Zyrën Ovale, do bëj që lufta katastrofike mes Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë…Unë do ta zgjidh problemin dhe do ta zgjidh në mënyrë të shpejtë dhe do të më duhet jo më shumë se një ditë.”

Në të njëjtën kohë, Trump kritikoi Bidenin për humbjen e miliarda dollarëve të taksapaguesve amerikanë në vend që të detyronte aleatët evropianë të Uashingtonit të financonin Kievin.

Trump paralajmëroi amerikanët se ata po përballen me ‘kohën më të rrezikshme në historinë e vendit tonë dhe Joe Biden po na çon në harresë’, duke pretenduar se bota së shpejti do zhytet në Luftën e Tretë Botërore nëse ‘diçka nuk ndodh shpejt’.

“Unë jam i vetmi kandidat që mund të bëjë këtë premtim: Unë do të parandaloj luftën e tretë botërore,” tha ai.