Vendosni fjalën kyçe....

DPT: Mediat e Irfan Hysenbelliut na sulmojnë sepse i zbuluam evazionin fiskal, dëmi ndaj shtetit 266 mln lekë


Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) nëpërmjet një njoftimi për mediat ka sqaruar sulmet e kryera sipas saj nga mediat e Irfan Hysnebelliut në ditët e fundit.

Sipas DPT-së sulmet vijnë pasi strukturat e saj evidentuan një rast të evazionit fiskal nga shoqëria “Albecorp” sh.p.k në pronësi të Irfan Hysenbelliut.

DTP thotë se në llogarinë e kësaj shoqërie në periudhën Mars 2016-Maj 2017 është kredituar shuma 605,991,973 lekë por nga verifikimi i bilanceve nuk rezulton që të jenë deklaruar këto të ardhura për këtë shoqëri duke bërë të mundur shmangien e taksave në një dëm potencial prej 108 milion lekë tatime të shmangura. Vlera aktuale e përllogaritur që Shoqëria i detyrohet shtetit është 266 milion lekë.

Deklarata e plotë:

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon të sqarojë opinionin publik, se kohët e fundit është gjendur përpara një sulmi me lajme të pavërteta, pa asnjë barriere etike profesionale, nga mediat e shtetasit Irfan Hysenbelliu.

E gjitha kjo situatë vjen si pasojë e evidentimit nga ana e Administratës Tatimore e një rasti tjetër evazioni, këtë radhë nga Shoqëria “Albecorp” shpk, në pronësi të z.Hysenbelliu, shoqëri e cila ka  shmangur detyrimet tatimore për vitet 2016 – 2017, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 266 milion lekësh.

Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve dëshiron të sigurojë të gjithë qytetarët se do të vijojë të kryejë me përpikmëri misionin e saj në zbatim të ligjit dhe nuk do të stepet përballë asnjë sulmi që kërkon të intimidojë punonjësit dhe drejtuesit e DPT.

Lidhur me rastin e shoqërisë “Albecorp” shpk, në pronësi të shtetasit Irfan Hysenbelliu, Administrata Tatimore është njoftuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit te Parave përmes shkresës Nr.3723/45 dt.06.02.2023 për një transaksion të kryer nga kjo shoqëri.

Nga informacioni i përcjellë rezulton se në llogarinë e shoqërisë “Albecorp” shpk në bankën Raiffeisen në periudhën Mars 2016 – Maj 2017 është kredituar shuma 605,991,973 lekë, si pagesë për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës Nr.3535, datë 17.03.2014 dhe vendimit Nr.2147 datë 03.11.2015. Këto fonde më pas u janë shpërndarë disa shoqërive të tjera, sërish në pronësi të shtetasit Irfan Hysenbelliu.

Nga verifikimi i bilanceve të shoqërisë “Albecorp” shpk nuk rezulton të jenë deklaruar të Ardhura për vitet 2016-2017, ndërkohë që nga verifikimi i kryer në QKB rezulton se statusi i shoqërisë është “Pezulluar” në datën 23.05.2017.

Administrata Tatimore me shkresën Nr.2948, datë 24.02.2023 me objekt “Kërkesë për informacion dhe dokumentacion” i është drejtuar shoqërisë “Albecorp” shpk lidhur me vendimin e gjykatës, pasqyrat financiare, pagesat e detyrimeve tatimore, dokumentacionin për huadhëniet tek individë apo shoqëri të tjera. Po ashtu me shkresën Nr.2948, dt.24.02.2023 me objekt “Kërkesë për informacion dhe dokumentacion” i është drejtuar edhe z.Irfan Hysenbelliu, pronar me 100% të aksioneve të kësaj shoqerie, për të marrë të njëjtin informacion.

Nga veprimet analizuese paraprake në bazë të informacionit të ardhur nga DPPP, rezulton se kemi të bëjmë me mosdeklarim të të ardhurave të shoqerise, duke shmangur detyrimet tatimore.

Shoqëria “Albecorp” shpk nëpërmjet mosdeklarimit të të ardhurave përllogaritet t’i ketë shkaktuar shtetit një dëm potencial prej 108 milion lekë tatime të shmangura. Vlera aktuale e përllogaritur që Shoqëria i detyrohet shtetit është 266 milion lekë.