Vendosni fjalën kyçe....

30-vjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, Basha: Transparenca e ndarja nga e shkuara jetike


Ish-kreu i PD-së Basha ka përkujtuar 30-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë.

Ai tha se harresa e mosmirënjohja janë rruga drejt shkatërrimit të shoqërisë e vlerave baze të familjes e kombit.

Ai theksoi se askush nuk ka paguar çmim më të lartë për lirinë në Evropë sa shqiptarët duke përmendur rreth 34 mijë të burgosur politikë, 59 mijë të internuar e mijëra të vrarë me e pa gjyq apo të vdekur nga torturat. Basha tha gjithashtu se drejtësia nuk mund të vijë nga  persekutorët e bashkëpunëtorët e tyre.

“Kujtesa dhe nderimi për sakrificën e atyre që kanë kontribuar për lirinë, e lartëson një komb. Harresa dhe mosmirënjohja janë rruga drejt shkatërrimit të shoqërisë dhe vlerave bazë të familjes, kombit dhe Atdheut. 20 shkurti është dita për të kujtuar me respekt të gjithë ata që u ngritën, u bashkuan dhe shembën simbolin e fundit komunist në Europë duke rrëzuar shtatoren e diktatorit.

Askush nuk ka paguar një çmim më të lartë për lirinë në Europë, se sa shqiptarët. 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.

7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak. 984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit. 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.

Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit. Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë është zhdukja e gjurmëve të krimit.

Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, ka në themel kompleksin e xhelatëve, për të zhdukur bashkë me kundërshtarët e tyre politikë, edhe gjurmët e krimit të tyre. Drejtësia nuk mund të vijë nga persekutorët dhe bashkëpunëtorët e shërbëtorët e tyre. Transparenca dhe ndarja nga e shkuara janë jetike për ta bërë realitet ëndrrën e Shqiperisë si gjithë Europa.” – tha Basha.