Vendosni fjalën kyçe....

Refuzuan t’i ndalonin policisë, gjenden fishekë dhe maska në makinë, arratisen 4 persona në Klos


Katër persona që udhëtonin me automjet nuk i janë bindur urdhrit të policisë që ishte stacionuar pranë Urës së fshatit Fshat në Klos ku fillon edhe rruga e Arbrit.

Gjatë orëve të natës të së premtes, patrulla ka pikasur një mjet me xhama të zinj që vinte nga Tirana dhe i ka kërkuar të ndalojë, por personat në makinë nuk janë bindur, duke u larguar në një distancë jo shumë larg ku kanë braktisur automjetin dhe duke u larguar në drejtim të paditur.

Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në mjet janë gjetur kapuçë të zinj në formë maske dhe disa fishekë luftarakë, ndërsa prokuroria e Matit ka nisur hetimet.

Policia ka arritur t’i identifikojë pas hetimeve të kryera 4 të arratisurit dhe i ka shpallur në kërkim zyrtarisht.

Strukturat hetimore të DVP Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat dhe Postën e Policisë Klos, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që merrm me aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike kanë organizuar pika kontrolli me qëllim goditjen e tyre.

Si rezultat në rrugën e Arbrit, në fshatin Shkallë, Bashkia Klos, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip ‘Volsëagen’, ku udhëtonin 4 shtetas, të cilët nuk i janë bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por janë ndaluar disa metra larg pikës së kontrollit dhe më pas kanë braktisur mjetin duke u larguar me vrap.

Gjatë kontrollit të mjetit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mekanizëm metalik që shërben për blurje të lëndës narkotike me mbetje të lëndës narkotike e dyshuar canabis sativa, një krëhër kallashnikovi me 30 copë fishek dhe tre kapuçë në formë maskash.

Si rezultat i hetimeve të thelluara bazuar dhe në inteligjencë informative u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :
E.R., D.M., Sh.H., dhe E.Rr., 21 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëbajtje pa leje” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë” .

Po në vijim të hetimeve të thelluara shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë ushtruan kontroll në një banesë të braktisur në fshatin Peshk, njësia Administrative Martanesh ku dyshohej se do shkonin katër shtetasit e shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit në këtë banesë shërbimet e Policisë gjetën dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, tre shtetas të tjerë nga Tirana, konkretsht: E.M., R.T; K.K., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë. Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë lidhje shoqërore dhe të afërm me shtetasit e shpallur në kërkim.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në banesën ku u gjetën këta tre shtetas gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël canabis sativa që po e përgatisnin në doza.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentnin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”-njofton policia