Vendosni fjalën kyçe....

Pas Irlandës, edhe Portugalia i jep fund programit të ‘vizave të arta’


Autoritetet e Portugalisë kanë njoftuar një paketë të madhe masash ekonomike që përfshin përfundimin e një prej skemave më të kërkuara të ‘vizave të arta’ në Evropë, e cila u siguron shtetasve jashtë BE-së rezidencë portugeze në këmbim të blerjes së pasurive të paluajtshme ose për investime të tjera.

Vendimi i Lisbonës për të ndaluar lëshimin e vizave të reja të arta në këmbim të investimeve të tilla, të cilat u kishin dhënë atyre që mund të paguanin statusin e qëndrimit dhe aksesin në zonën e udhëtimit pa kufij të BE-së, u njoftua të enjten nga kryeministri i vendit Antonio Costa.

Hapi synon ‘luftën kundër spekulimeve të çmimeve në pasuritë e paluajtshme’, tha kryeministri, duke shtuar se kriza tani po prek të gjitha familjet, jo vetëm më të rrezikuarat.

Programi i ‘vizave të arta’ kishte tërhequr 6.8 miliardë euro (7.3 miliardë dollarë) investime që nga fillimi i tij në 2012, ku pjesa më e madhe e parave thuhet se shkon në pasuri të paluajtshme.

Për të marrë rezidencën portugeze, një personi i duhet të investonte mbi 280,000 euro në pasuri të paluajtshme. Pasi një person të fitonte vendbanimin, atij i kërkohej të vinte vetëm shtatë ditë në vit në vend për të ruajtur të drejtën për lëvizje të lirë në të gjithë bllokun.

Paketa e masave të saposhpallura përfshin gjithashtu ndalimin e licencave të reja për Airbnbs.

Qiratë dhe çmimet e banesave janë rritur në Portugali, e cila aktualisht renditet një nga vendet më të varfra në Evropën Perëndimore. Në vitin 2022, pagat mujore të më shumë se 50% të punëtorëve portugez vështirë se arritën 1,000 eurp, ndërsa qiratë vetëm në Lisbonë u rritën me 37%. Ndërkohë, norma e inflacionit prej 8.3% e vendit vetëm sa i ka përkeqësuar problemet e tij.

Nuk është ende e qartë se kur do hyjnë në fuqi masat, me vlerë të paktën 900 milionë euro. Sipas kryeministrit, disa do miratohen muajin e ardhshëm dhe të tjerat do votohen nga ligjvënësit.

Vendimi i Portugalisë pason një të ngjashëm nga Irlanda, e cila një javë më parë kishte hequr skemën e saj të artë të vizave, i cili dikur ofronte rezidencë irlandeze në këmbim të një investimi 500,000 eurosh.

Ndërkohë në Spanjë, një projektligj i është dorëzuar kongresit për të hequr përsëritjen e skemës së ‘vizës së artë për blerjen e pronës’, pasi ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në çmimet e banesave atje, duke i nxjerrë qytetarët jashtë tregut, veçanërisht në qytetet e mëdha dhe destinacionet më të njohura turistike.

I prezantuar në vitin 2013, programi u mundëson të huajve të marrin një leje qëndrimi spanjolle duke blerë pasuri të paluajtshme me vlerë të paktën 500,000 euro në vend.