Vendosni fjalën kyçe....

Numri i llogarive në institucionet e parasë elektronike u rrit me 273% vitin e kaluar


Tregu i institucioneve të parasë elektronike shënoi një rritje të shpejtë gjatë vitit 2022.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, numri i llogarive të parasë elektronike në fund të vitit të kaluar arriti në më shumë se 73 mijë, shifër kjo 273% herë më e lartë krahasuar me një vit më parë.

Që prej vitit 2019, kur Banka e Shqipërisë ka nisur raportimin e këtij treguesi, numri i llogarive të parasë elektronike është rritur me 8.6 herë.

Paralelisht, edhe numri dhe vlera e transaksioneve me para elektronike kanë vijuar të rriten me ritme mjaft të larta. Statistikat tregojnë se vitin e kaluar numri i pagesave me para elektronike arriti në 10.2 milionë, në rritje me 50% krahasuar me vitin 2021. Ndërsa volumi total i transaksioneve arriti në 45.3 miliardë lekë, me një rritje prej 190% krahasuar me vitin 2021.

Rritja e fortë e treguesve të tregut të parasë elektronike përkon me një interes të lartë të investitorëve për këtë treg dhe me shtimin e numrit të subjekteve të licencuara. Vetëm në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka licencuar gjashtë institucione të reja të emetimit të parasë elektronike.

Numri i përgjithshëm i institucioneve të licencuara të parasë elektronike ka arritur tashmë në nëntë të tilla. Këto institucione ofrojnë shërbime të pagesave nëpërmjet llogarive të parasë elektronike. Ky model së fundmi po tërheq interesin edhe të bankave tregtare.

Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka krijuar BKT Pay, kompani që synon të ushtrojë aktivitetin si institucion financiar i parasë elektronike dhe ofrimit të shërbimeve të pagesave.

Shifrat e tregut të parasë elektronike tregojnë një konkurrencë në rritje për bankat nga institucionet financiare të parasë elektronike. Kjo konkurrencë është nxitur sidomos nga ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, miratuar në vitin 2020.

Megjithatë, ligji nuk është ende plotësisht i zbatueshëm në të gjitha dispozitat e tij, veçanërisht në konceptin kyç të bankingut të hapur (open banking), që do të mundësojë përdorimin e llogarisë bankare për të kryer shërbime pagesash edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare.

Open banking pritet të zbatohet duke filluar nga 1 janari 2024 dhe do të mundësojë dy shërbime të reja, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë.

Një rregullore e rëndësishme në zbatim të ligjit në fjalë do të jetë edhe ajo “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”.

Rregullorja në fjalë iu krijon mundësinë përdoruesve të transferojnë lirisht llogaritë e tyre mes bankave apo institucioneve të tjera të pagesave./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor