Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipërisë i dalim zot”-Gjithçka ndodhi në protestë, mesazhet dhe pankartat (Pamjet)


Opozita zhvilloi protestën e para kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Protesta u thirr pas daljes së dosjes McGonigal në SHBA dhe përmendjes në të takimeve të Ramës me ish-agjentin e FBI-së.

Protesta e sotme u karakterizua nga zhvillime të qeta dhe pa ndonjë incident të spikatur.

Përballë kryeministrisë ishte vendosur edhe podiumi në të cilin u ngjitën disa nga figurat e Partisë Demokratike si Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti, Ledina Aliolli dhe Aldo Bumçi.

Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbajti fjalën e tij ku u përqendrua në aferat e qeverisë dhe nevojën për vënien përpara përgjegjëisë të Kryeministrit Edi Rama.

Pas Metës, fjalën e mbajti edhe kreu i PD-së Sali Berisha, i cili paralajmëroi se revolucioni demokratik sapo ka nisur deri në largimin e Ramës.

Me mbylljen e fjalës së Berishës, disa protestues hodhën tymuese dhe flakadanë në shkallët e kryeministrisë por pa prodhuar ndonjë incident për policët të cilët kishin rrethuar kryeministrinë.

Më pas Berisha zgjodhi që të marshonte drejt Parlamentit, një lëvizje e paparaljmëruar pasi me mbylljen e fjalimeve, partneri i tij në opozitë Ilir Meta u largua drejt selisë së tij.

Ndërkohë Berisha së bashku me protestues vijoi drejt Parlamentit ku njoftoi protestën për ditën e hënë (13 shkurt) kur dhe zhvillohet seanca në Kuvend.

Më tej kryedemokrati vijoi drejt Ministrisë së Brendshme ku u ngjit në bunkerin dhe dha një mesazh duke kërkuar largimin e Ministrit Bledi Çuçi.

Berisha u ndal edhe te Bashkia Tiranë, ku akuzoi Erion Veliajn për aferën e inceneratorëve dhe betonizimin e Tiranës.

Kreu i PD-së e mbylli marshimin përballë selisë së Partisë Socialiste ku bëri thirrje për socialistët që të mos mbështesin më deputetët e shumicës dhe Ramën.

Më pas Berisha u drejtua drejt selisë së PD-së ku falënderoi protestuesit dhe njoftoi se protesta e së hënës do zhvillohet prej orës 17:00 nëse Kuvendi nuk ndryshon orën çka do i bënte dhe ata të ndryshonin orën e protestës.

Në protestë nuk munguan edhe pankartat e qytetarëve dhe organizatorëve me mesazhe drejtuar qeverisë.

“Burg Brother VIP’’ ishte kjo një nga pankartat që ra në sy gjatë protestës së organizuar nga opozita. Me pankarta të  shumta me mesazhe të qarta, qytetarët kanë shprehur indinjatën e tyre për korrupsionin e qeverisë Rama.

“Kur SHBA heton skandalin McGonigal” –  “Dita me diell duket që në mëngjes!”- “Asgjë nuk i shpëton krimin dhe korruptuesin” – “Asgjë s’e shpëton Ramën” etj. ishin disa nga mesazhet e kësaj proteste./Hashtag.al