Vendosni fjalën kyçe....

NATO zotohet të mbështesë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Bosnjën: Të rrezikuara nga lufta e Rusisë


NATO është zotuar të ndihmojë fqinjët e Rusisë të mbijetojnë si kombe të pavarura, duke thënë se rezultati i luftës është me “rëndësi ekzistenciale” për tre vende që konsiderohen se janë në rrezik.

Përveç Ukrainës, Moldavia është goditur më së shumti nga pushtimi rus ndaj fqinjit të saj, pas probleme të shumta në sistemin energjetik.

Ministri i jashtëm moldav Nicu Popescu i tha Associated Press në një intervistë në kryeqytetin e Rumanisë se “ne duam të zgjerojmë bashkëpunimin tonë me partnerët që mbështesin Moldavinë … që përfshin Bashkimin Evropian (dhe) NATO-n”.

Nicu Popescu

Sipas AP, NATO ofroi mbështetje të re për tre vende të tronditura nga efektet e luftës 10-mujore të Moskës.

Kjo mbështetje për Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Bosnjën, vjen pasi sot u takuan ministrat e jashtëm të tre vendeve u takuan me homologët e tyre të NATO-s për të diskutuar se si organizata më e madhe e sigurisë në botë mund t’i ndihmojë ata përballë çështjeve politike, energjetike dhe pasigurisë territoriale të nxitur nga lufta.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha pas bisedimeve se aleatët diskutuan shqetësimet e përbashkëta të sigurisë me tre vendet për të cilat ai tha se po përballen me presionin rus. Stoltenberg tha se anëtarët e aleancës ranë dakord të ndihmojnë në trajnimin dhe përmirësimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes të tre kombeve.

“Nëse ka një mësim të nxjerrë nga Ukraina, është se ne duhet t’i mbështesim tani … kur kemi parë zhvillime që shkojnë në drejtimin absolutisht të gabuar siç pamë me pushtimin e Ukrainës.”– tha Stoltenberg në Bukuresht.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka pasur një efekt veçanërisht shqetësues për Moldavinë, fqinjin e Ukrainës, e cila aktualisht po përballet me një krizë të rëndë energjetike për shkak të mbështetjes së saj në energjinë ruse.

Javët e fundit ka pësuar ndërprerje masive të energjisë elektrike si rezultat i sulmeve ruse në rrjetin energjetik të Ukrainës. Raketat ruse kanë përshkuar gjithashtu qiejt e saj, mbeturinat e raketave kanë rënë në tokën e saj dhe në prill ndodhën shpërthime në rajonin separatist të Transnistrisë, të mbështetur nga Rusia, ku Moska ka rreth 1500 trupa.

“Çdo javë ka diçka të re, ka një efekt të ri negativ të kësaj lufte mbi ne.”- tha Popesku. “Javën e kaluar … pothuajse 80-90% e vendit u zhyt në errësirë ​​për pjesën më të madhe të ditës. Kjo është një fushatë vërtet, krejtësisht e papranueshme, shumë agresive ruse që synon Ukrainën, por edhe në shpërfillje të plotë të sigurisë sonë”.

Moldavisë iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor, në të njëjtën ditë me Ukrainën, dhe është kushtetutisht neutrale, por Popesku shtoi “neutraliteti nuk do të thotë demilitarizim, ne kemi nevojë për mjetet ushtarake dhe të gjitha mjetet e tjera për të mbrojtur vendin tonë, për të mbrojtur paqen tonë, për të mbrojtur popullin tonë nga agresioni.“