Vendosni fjalën kyçe....

Greqia ndalon partitë me liderë të dënuar të marrin pjesë në zgjedhje


Parlamenti grek hapi rrugën për ndalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje të partive politike, drejtuesit e të cilave janë dënuar për krime. Votimi vjen përpara zgjedhjeve kombëtare në pranverë.

Ligjvënësit në Athinë votuan në orët e vona të së mërkurës (8 shkurt 2023) në favor të një amendamenti që synon të parandalojë partitë politike si Agimi i Artë i ekstremit të djathtë — dikur forca e tretë politike më e madhe e Greqisë — nga kandidimi në zgjedhje, pasi ata u shpallën një bandë kriminale në një vendim gjykate të vitit 2020.

Legjislacioni i ri do të ndikojë gjithashtu në partinë e vogël e të djathtës ekstreme, partinë e Helenëve — — e cila u bashkëthemelua nga ish-deputeti dhe zëdhënësi i Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris.

Kasidiaris u dënua me 13 vjet burg në vitin 2020, por ky amendament i ri do ta pengojë atë të vendosë “një drejtues “kukull” në krye të partisë së tij ndërsa vazhdon të udhëheqë partinë de facto“, tha eksperti i së drejtës kushtetuese, Nikos Alivizatos.

Pavarësisht se është në burg, Kassidiaris ka vazhduar veprimtarinë e tij politike. Ai u drejtohet rregullisht mbështetësve të tij nga qelia e tij përmes mesazheve zanore të transmetuara në kanalin e tij në YouTube, i cili ka më shumë se 120,000 abonentë.

Sipas një sondazhi të fundit, partia “Helenët” do të merrte 3.4% të votave në zgjedhjet e ardhshme, mbi pragun prej 3% për hyrjen e deputetëve në parlament.

Sondazhe të tjera e vendosin partinë pak nën këtë prag, por mbështetja është rritur në mënyrë të qëndrueshme muajt e fundit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis këmbënguli se ishte “detyrim moral i demokracisë të ruhej kundër armiqve të saj”.

Demokracia “nuk mund të legjitimojë dhe sigurisht nuk financon organizatat që minojnë hapur funksionimin e saj”, tha ai, duke vënë në dukje se masa e re ishte “një dispozitë e ngjashme me atë tashmë në fuqi në disa vende evropiane”, tha kryeministri Mitsotakis.

Amendamenti, i paraqitur nga qeveria konservatore, u miratua nga shumica e ligjvënësve në dhomën prej 300 vendesh.