Vendosni fjalën kyçe....

AKSHI – Strukturat mbrojtëse në një nivel tjetër, për t’iu përgjigjur rreziqeve kibernetike në rritje


 

Dje është mbajtur Konferenca për Sfidat e Sigurisë Kibernetike të vendit. 

Në këtë konferencë Drejtori i Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat elektronike qeveritare pranë AKSHI-t, Enis Ylli

ka raportuar mbi ecurinë dhe rritjen e nivelit të mbrojtjes së sistemit qeveritar, 7 muaj pas sulmit të meskorrikut.

Ylli  përmblodhi të gjitha ngjarjet e kohëve të fundit që kanë të bëjnë me sulmet e rrjeteve qeveritare nga hakerat deri tek mbyllja e shërbimeve elektronike të portalit e-Albania, deri në ringritjen dhe rivënien në funksion të sistemeve, duke vlerësuar masat efektive që u morën në kohë rekord.

Shkalla e afektimit ishte vetëm 10% e disa sistemeve qeveritare që u rikuperuan në një periudhë shumë të shkurtër, brenda 10 ditëve, falë zbatimit të standardeve ndërkombëtare të rikuperimit nga incidente të tilla”, u shpreh Ylli.

Pas këtij sulmi Shqipëria mori mbështetje domethënëse falë partneritetit me Microsoft, si dhe nga FBI-ja, për investigimin e plotë të ngjarjes.

Aktualisht ekspertët sqarojnë se strukturat mbrojtëse janë rikonceptuar, si dhe janë në një nivel tjetër, duke iu përgjigjur me standard të lartë rreziqeve të vazhdueshme që vijnë nga sulmet kibernetike.

Përfaqësuesi i AKSHI-t shtoi më tej se është ndërtimi i sistemeve mbi bazën e zgjidhjeve teknologjike të bazuara në standarde të mirëpërcaktuara dhe investime strategjike për të bërë koordinimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve.

“Kjo gjë na ka mundësuar kalimin e 95% të shërbimeve publike online dhe marrjen e tyre në kohë reale nga qytetarët. Sigurisht që nëse nuk do ishte një investim strategjik i mirëmenduar, me standardet e mirëpërcaktuara, kjo gjë nuk do të arrihej kurrë dhe nuk do të ishim krah vendeve të zhvilluara në digjitalizim. Pa dyshim që ky investim strategjik kërkon edhe investim nga ana e cyber-it, pasi duhet të ecin paralel me njeri tjetrin.” është shprehur Ylli.