Vendosni fjalën kyçe....

Kim: Sulmet kibernetike nga Irani e të tjerë s’do ndalen, 50 milionë dollarët për sigurinë kibernetike të Shqipërisë vetëm fillimi


Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi sot se ndihma prej 50 milionë dollarësh që SHBA-ja ka dhënë për sigurinë kibernetike të Shqipërisë janë vetëm fillimi.

Gjatë Konferencës për Sigurinë Kibernetike, ajo theksoi se Tirana zyrtare nuk është vetëm për sa i përket sigurisë kibernetike dhe se SHBA-ja ka dërguar e do dërgojë ekspertët më të mirë në këtë drejtim.

Kim paralajmëroi gjithashtu se sulmet kibernetike nga Irani e vende të tjera do vijojnë e do jenë kërcënim edhe për të ardhmen.

“SHBA dënoi Iranin dhe shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë përballë këtij sulmi. Duke filluar nga muaji korrik SHBA-të kanë dërguar vazhdimisht pa ndërprerje ekspertët tanë më të mirë për të punuar me shqiptarët. Për të analizuar, për të identifikuar dobësitë e mundshme dhe për të marrë masat.  Dy javë më parë, ministri juaj i Mbrojtjes diskutoi përgjigjen tonë të përbashkët për sigurinë kibernetike me Sekretarin tonë të Mbrojtjes. Ju nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik. Ne duhet të identifikojmë mbrojtjen tonë kolektive.  50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe kjo është vetëm fillimi. Sulmet nga Irani dhe të tjerë do të vazhdojnë të jenë kërcënim edhe në të ardhmen, nuk do të zhduken. Ne duhet ta kemi parasysh këtë.” – tha Kim.