Vendosni fjalën kyçe....

Rama tregon njohjen me McGonigal, Nezajn, Duçkën dhe akuzat në SHBA


Kryeministri Edi Rama për herë të parë ka folur dhe komentuar mbi çështjen e ish-agjentit të FBI-së McGonigal njohjen me të, Agron Nezën dhe Dorian Duçkën.

Kryeministri Rama në emisionin “Top Story” tregoi nëse çështja në SHBA e implikon atë për takimet me ish-agjentin dhe akuzat që opozita ka bërë mbi akuzat e drejtësisë amerikane duke e kthyer në një kauzë politike në Shqipëri.

Njohja me McGonigal

Për kreun e qeverisë, takimi me McGonigal është bërë në zyrën e tij në Tiranë me kërkesë të ish-agjentit. Sipas Ramës ish-zyrtari i lartë i FBI-së ka qenë së bashku me Agron Nezajn kur kanë zhvilluar takimin.

Rama përmendi edhe takimet me McGonigal në SHBA., duke mos e cilësuar si një çështje të jashtëzakonshme.

Rama tha se nuk pranoi të shkonte në interpelancë me opozitën pasi nuk donte të binte në nivel me ta.

Unë nuk kam heshtur kam thënë atë që mund të them unë në kushtet kur nuk ka absolutisht asnjë me mua po me qeverisën apo me këdo qoftë tjetër zyrtar shqiptar. Çështja ka marrë shumë bujë, jo për shkak të aspektit të hetimit që lidhet me Shqipërinë, por për shkak të akuzës ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI me një oligark rus. Unë dua të përsëris se nuk kam dhe shumë çfarë të them mbi këtë çështje, por duke qenë se refuzova të jem dhe do të refuzoj në mënyrë të vazhdueshme në një sallë Kuvendi dhe të përfshihem në një debat me një opozitë me një nivel etik që për fat të keq më ka tërhequr dhe mua në atë nivel. Them që me qetësi të shpjegohen ato që mund të shpjegohen. Zyrtarin e FBI e kam takuar me kërkesën e tij, ka ardhur dhe e kam pritur në zyrë. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse dhe ka folur për rajonin. Takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat ose i pranisë këtu që jam takuar miqësisht ose në SHBA kur kam qenë në Asamblenë e OKB, kam qenë në zyrat e FBI ku kam takuar edhe koleg të tij. Nuk shikoj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, një marrëdhënie normale. Nuk kam pse njoftoja ambasadën”, deklaroi Rama.

Njohja me Agron Nezajn

Kryeministri Rama tha se me Nezajn u njoh vetëm nga McGonigal i cili e prezantoi gjatë takimit në zyrë.

Rama e ka mësuar hetimin për McGonigal në SHBA pasi është pyetur nga një gazetar amerikan.

Kryeministri mohoi që gjatë takimit me McGonigal dhe Nezajn të jetë folur për biznese.

“Është e vërtetë, opozita i thotë këto, por nuk i thotë drejtësia amerikane. As jemi pyetur, as na është kërkuar të japim ndonjë shpjegim. Unë për herë të parë kam mësuar për këtë çështje kur më ka marrë një gazetar amerikan. Unë nuk kam takuar zyrtarin e FBI me asnjë lloj biznesmeni. Ai (McGonigal) ka ardhur së bashku me një qytetar shqiptaro-amerikan, që ma ka prezantuar si mikun e tij. Unë i kam thënë “bujrum” Me mua nuk është folur kurrë në asnjë nga takim, për asnjë lloj përfitimi, për asnjë lloj biznesi nga ana e ish-zyrtarit të FBI.”-tha Kryeministri.

Njohja me Dorian Duçkën

Kryeministri Edi Rama foli edhe për njohjen me Dorian Duçkën. Rama tha se me Duçkën është njohur për herë të parë kur ishte zëvendës ministër i Energjisë gjatë koalicionit me LSI-në.

Më pas Rama tha se e mori Duçkën si këshilltar i jashtëm pa pagesë për shkak të njohjeve ndërkombëtare të ish-zëvendësministrit të cilat kryeministri i kërkoi t’i shfrytëzonte në shërbim të vendit.

I pyetur nëse është e lejuar mbajtja e një këshilltari të jashtëm pa pagesë, Kryeministri u përgjigj se kjo nuk përbën asnjë problem për të.

Rama tha se nuk është në dijeni që Duçka të ketë përfituar ndonjë tender dhe se për këtë akuzë duhet të provohet e kundërta nga ata që e thonë.

Nga cili tenderim ka fituar Duçka, unë skam dijeni por ju duhet të më provoni të kundërtën. Në rastin e personit tjetër, ai ka ardhur këtu me ish zyrtarin e lartë të FBI, skam pasur njohje më parë. Në aktakuzë flitet për një borxh të marrë mes të dyve dhe asgjë tjetër nga ato që thuhen këtu prej ditësh. Kjo është mbarsja e një mali të madh do të pjellë një bisht miu”-tha Rama.

Shkrimi i BIRN dhe paratë ruse në PD

Kreu i Qeverisë, mohoi që McGonigal ta ketë përdorur për të ngritur akuza ndaj opozitës shqiptare për çështjen e parave ruse në PD.

Rama theksoi se për paratë ruse në PD është njohur nga shkrimi në BIRN, duke bërë mohuar akuzat e opozitës dhe Sali Berishës se ka qenë kreu i qeverisë që i ka kërkuar McGonigal të hapë hetime në SHBA me qëllim që të marrë peng opozitën shqiptare.

Interesant si pikturohet panorama e gënjeshtrës duke aluduar që ajo që ka ndodhur me skandalin e marrjes së parave ruse për të rrëzuar qeverinë në Tiranë, është një sajesë e lidhur me mua dhe McGonigal.

Skandalin e kam marrë vesh si shumë të tjerë kur ka dalë në publikim nga BIRN. Edhe në aktakuzë, datat e përmendjes së këtij fakti janë në atë periudhë kur këtu bëhej nami në media për atë skandal. Nuk kam pasur asnjë informacion apo dokumente më shumë, dhe në asnjë institucion nuk kemi pasur asgjë më shumë se ajo që ka zbuluar BIRN sepse po ta kishim do ia jepja zyrtarit të lartë të FBI apo çdo zyrtari tjetër të FBI apo nëse do më thoshin s’është për mua, do i pyesja ku duhet ta çoja sepse bëhet fjalë për interferencë të parasë ruse në vendin tonë përmes PD. Nuk e kam bërë sepse nuk kam pasur asnjë informacion më shumë. Kjo nuk ka lidhje me mua apo qeverinë time. Për sa më takon, asnjëherë nuk i kam vënë në dispozicion informacion apo nuk i kam kërkuar ndonjë shtysë zotërisë në fjalë sepse nuk kisha”, tha Rama.

Implikimi i tij për akuzat në SHBA

Drejtuesja e emisionit nëse e quan ende mik McGonigalin duke theksuar se aktakuza ndaj zyrtarit të FBI nuk flet për asnjë implikim të tij. Rama tha se kompanitë për të cilat flitet në dosje kanë marrë kontrata nga qeveria e mëparshme.

“Unë nuk them që nuk kam ditur për këtë. Aktakuza nuk thotë asgjë lidhur me ndonjë implikim timin jo e jo, Aktakuza nuk flet për asnjë lloj korrupsioni të askujt. Nuk flet për korrupsion as për atë vetë. Nuk kam asnjë arsye të ndihem keq se në çfarë katandie është politika jonë e përditshme dhe deri ku shkon paturpësia politike për të marrë zvarrë elektoratin dhe ata që shpresojnë t’u merret vota duke u servirur një gënjeshtër. Ata nuk meritojnë më përgjigjet e mia. Jam i keqardhur që duke qenë i disponueshëm për t’u përfshirë në debat kam rënë në nivelin e tyre. Ata nga unë kanë marrë gjithçka që mund të merrnin.

Duhet të pyesni ata që kanë preferuar të ndalen këtu dhe pse janë ndalur këtu. Kjo lidhet me faktin që në fund fare rasti është përkufizuar si një rast i mosdeklarimit të borxhit dhe mosdeklarimi i takimeve me të gjithë ata që ka takuar në Ballkan. Kompanitë për të cilat flitet janë kompani që kanë marrë peshqeshe dhe kontrata nga qeveria e mëparshme dhe në rastin e qeverisë sonë nuk kanë marrë asnjë lloj kontrate dhe nga ana tjetër qeveria nuk ka bërë asnjë peshqesh për asnjë kompani duke dhënë fusha nafte pa garë. Kemi bërë garë ndërkombëtare për çdo fushë. Janë kompani që kanë marrë copa Shqipërie pa garë nga qeveria e mëparshme”, deklaroi Rama.