Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohen se merrnin ryshfet nga farmacitë, pranga dy zyrtarëve të Agjencisë së Barnave, në kërkim një i tretë


Dy punonjës së Agjencisë së Barnave janë prangosur ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Sipas njoftimit, tre zyrtarët në fjalë ushtronin kontrolle në farmaci të ndryshme dhe merrnin shuma parash në këmbim të mosraportimit të shkeljeve të ndryshme.

Gjatë operacionit ‘Farmacisti’ në pranga kanë rënë 38-vjeçarja B.Xh, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave e 35-vjeçari L.Ç. specialist i kësaj agjencie ndërsa në kërkim është shpallur 28-vjeçari A.L. specialist i Agjencisë së Barnave.

Njoftimi

“Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Farmacisti”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Shpërdoruan detyrën dhe morën para, për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga subjektet farmaceutike ku ata ushtronin kontroll, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Të arrestuarit, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist i kësaj agjencie.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Farmacisti”.

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

– B. Xh., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;

– L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L., si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”