Vendosni fjalën kyçe....

Nis vlerësimi i dëmeve pas vërshimeve të ujrave në shumë zona të Kosovës


 

Në disa komuna të Kosovës janë krijuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e ditëve të fundit.

Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, vërshimet kanë prekur më së shumti komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut dhe Istog, duke dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore, shkruan REL. 

Kompania rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka bërë të ditur se si pasojë e shirave ka turbullira të ujit në kanalin e Ibër Lepencit.

Ajo ka thënë se impiantet e ujit në Shkabaj dhe Drenas nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije.

“Për shkak të gjendjes alarmante me vërshime dhe turbullirë të ujit në kanalin e Ibër Lepencit, përveç Fushë Kosovës, Drenasit, Zonës Industriale dhe lagjes Kalabria në Prishtinë, çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë sot do të kenë edhe: lagjja ‘Kodra e Trimave’ dhe të gjitha zonat që furnizohen me ujë nga rezervuari i Mirëditës si: lagjja e Muhaxhirëve, lagjja Dodona, Taslixhe, Aktash, Bregu i Diellit dhe të gjitha zonat e Matit.

Kjo situatë është thënë se do të vazhdojë deri në përmirësim të turbullirës në kanal.

Zyrtarë të komunave më të prekura nga vërshimet kanë thënë të premten se situata është më e qetë.

Alban Shala, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike në komunën e Skenderajt, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, niveli i ujit në lumin Klina ka rënë dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme.

“Gjendja është stabile, niveli i ujit ka filluar të bie, rrezik për momentin nuk ka. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha”.

Edhe në Komunën e Mitrovicës se Jugut, situata është e qetë, ka thënë Bahtir Maxhuni, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në këtë komunë.

“Në lumin Lushta niveli ka rënë në sasinë e duhur, kurse në lumin Ibër niveli po bie në përmasa të vogla”, ka thënë Maxhuni për Radion Evropa e Lirë.

Xhevat Demaj drejtor për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim në Istog, ka thënë se situata është nën kontroll edhe në në këtë komunë.

Për vërshime është raportuar edhe në komunat në veri të Kosovës, sidomos në Zveçan dhe Zubin Potok.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka thënë përmes një postimi në Facebook se zyrtarët e saj janë duke bashkëpunuar me drejtoritë komunale për situatën në terren.

Gjithashtu, si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut, nxënësit e shtatë komunave të Kosovës nuk zhvilluan mësim të premten, ka njoftuar ministrja e Arsimit (MASHT), Arbërie Nagavci.

 

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.