Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë: Biznesi i prodhimit të birrës ka ndalur prodhimin, shkak rritja absurde e akcizës


Partia e Lirisë ka denoncuar qeverinë “Rama” duke e cilësuar të korruptuar dhe që bën gjithcka për të falimentuar bizneset vendase.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka pohoi se biznesi i prodhimit të birrës ka ndalur prodhimin, fakt që është bërë publik sipas saj nga Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Vendorë të Birrës dhe pasojë për këtë gjë ka qenë rritja absurde e akcizës nga qeveria.

“Vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës, qindra vende pune janë shkurtuar në këtë fillim janari”, tha Caka.

Ndër të tjera Caka theksoi se Partia e Lirisë, mbështet fuqimisht idenë e Shoqatës së Prodhuesve Vendorë të Birrës për kundërshtimin e ndryshimeve në ligjin e akcizës në Gjykatën Kushtetuese

REAGIMI I PARTISË SË LIRISË

Qeverisja e korruptuar dhe e dështuar rilindase, peng i oligarkëve, bën gjithçka për të falimentuar dhe mbyllur biznesin vendas.

Biznesi i prodhimit të birrës ka ndalur prodhimin dhe ky fakt është bërë publik nga Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Vendorë të Birrës.

Qeverisja, e cila është e tëra në shërbim të oligarkëve, rriti në mënyrë absurde dhe skandaloze akcizën e birrës për prodhimin vendas.

Kjo masë u dënua ashpër nga Partia e Lirisë, si një masë që dëmtonte në themel prodhimin vendas dhe që do të shkaktonte humbjen e mjaft vendeve të punës dhe në funksion të kësaj, Partia e Lirisë paraqiti dhe një amendament në Kuvendin e Shqipërisë, për heqjen dhe anullimin e vendimit për rritjen e akcizës.

Rilindja në Kuvend, e kapur për gryke nga oligarkët dhe interesat e importuesve, e rrëzoi amendamentin e Partisë së Lirisë, edhe pse ky amendament i vinte në ndihmë mbrojtjes së biznesit vendas, ruajtjes së qindra vendeve të punës dhe respektonte direktivën D.92/84 KEE, e cila lejonte akcizën e diferencuar për prodhimet vendase në Europë.

Pasojat janë shumë të qarta; vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës, qindra vende pune janë shkurtuar në këtë fillim janari dhe është e qartë që qindra familje kanë mbetur pa të ardhurat, me të cilat mbajnë në këmbë familjet e tyre.

Situata është pa rrugëdalje edhe për të ardhmen, duke llogaritur rritjen e çmimeve të lëndëve të para të prodhimit të birrës dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Pra, qeveria rilindase që kompensonte tenderat me dhjetëra miliona euro se ishin rritur çmimet e materialeve të ndërtimit, falimenton me ndërgjegje të plotë bizneset vendase të prodhimit të birrës.

Partia e Lirisë, mbështet fuqimisht idenë e Shoqatës së Prodhuesve Vendorë të Birrës për kundërshtimin e ndryshimeve në ligjin e akcizës në Gjykatën Kushtetuese dhe i bëjmë thirrje anëtarëve të kësaj Gjykate, që gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, të rreshtohet në krah të interesave të qytetarëve që humbasin vendet e tyre të punës e jo të interesave të Edi Ramës e atyre që e kanë kapur peng atë.

Çdo ditë që qeverisja rilindase qëndron në pushtet, do të ketë vetëm biznese që mbyllen dhe qindra shqiptarë që mbeten pa punë.

14 maji është dita e ndëshkimit, që Shqipëria të çlirohet nga hajdutët dhe grabitqarët e Edi Ramës dhe shqiptarët të mos detyrohen më të lënë vendin, por të ndërtojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre në Shqipëri.