Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Ideja e shkëmbimit të territoreve një nostalgji e Vuçiçit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë ka dështuar si projekt politik, por ideja ekziston ende.

Në një intervistë për Al Jazeera, kreu i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se “shkëmbimi”  sipas tij është një formulë për luftë.

Mes tjerash, Kurti është shprehur se kurrë nuk mund të kesh kufij perfekt etnik, dhe se ideja e shkëmbimit të territoreve, është thjesht një nostalgji e presidentit Vuçiç që i mbetet të shkuarës.

“Jam shumë i sigurt se presidenti i Serbisë është nostalgjik për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por, përsëri, ideja s’ka vdekur. Nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilën mund të kemi progres. Shkëmbimi nuk do të ndodh. Shkëmbimi është një formulë për luftë. Kurrë nuk mund të kesh kufi perfekt etnik”.

“Gjithmonë do të ketë njerëz që do të ndjehen që janë në anën e gabuar. Ajo që kemi nevojë është republikat të kenë marrëdhënie normale. Demokracitë nuk luftojnë me njëra-tjetrën. Tensionet që i kemi me Serbinë janë sepse ne jemi vend demokratik dhe ata janë regjim autokratik me lidhje të afërta me Kremlinin”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka folur gjithashtu edhe mbi krizën e e barrikadave në veri të Kosovës.

“Kriza nuk ka përfunduar ende sepse Kosova dhe Serbia kanë raporte jonormale. Ne kemi nevojë për një marrëveshje për normalizimin e plotë të raporteve, në qendër njohjen reciproke…”, ka theksuar ai, duke shtuar se kriza nuk ka përfunduar sepse strukturat ilegale janë kthyer së fundi në grupe kriminale dhe kanë ngritur 16 barrikada gjatë dhjetorit.