Vendosni fjalën kyçe....

Përgatituni për një “ngadalësim ekonomik” në vitin 2023, sipas Moody’s


Shumë drejtues ekzekutivë, investitorë dhe konsumatorë janë të shqetësuar për mundësinë e një recesioni në vitin 2023.

Por, Moody’s Analytics thotë se skenari më i mundshëm është “ngadalësimi ekonomik” (slowcession), një fazë ku rritja ekonomike është pothuajse zero, por arrihet që të shmanget rënia e plotë ekonomike.

“Në pothuajse çdo skenar, ekonomia do të ketë një vit të vështirë përgjatë 2023,” shkroi kryeekonomisti i Moody’s Analytics, Mark Zandi, në një raport të publikuar të martën. “Por, inflacioni po bie me shpejtësi dhe bazat e ekonomisë janë të shëndosha. Me pak fat dhe me ndërmarrjen e masave të shpejta nga Fed, ekonomia mund ta shmangë rënien.”

Moody’s tha se, në fazën e një ngadalësimi ekonomik – term ky i krijuar nga kolegu i Zandi, Cristian deRitis – rritja ekonomike “pothuajse i afrohet shifrës zero, por kurrë nuk bie në drejtim të kundërt”. Papunësia do të rritej, por jo në përmasa të mëdha.

Duke pasur parasysh të gjitha shqetësimet e fundit për ekonominë, një ngadalësim i tillë ekonomik do të ishte lehtësues për shumë njerëz.

Frika nga recesioni bëri që 2022 të ishte viti më i keq për tregun e aksioneve në SHBA që nga viti 2008. Në fakt, rënia prej 19.4% e indeksit S&P 500 vitin e kaluar ishte rënia e katërt më e madhe që nga viti 1945, sipas CFRA Research.

Ndërkohë që Rezerva Federale përpiqet të frenojë ekonominë amerikane për të mos lejuar vijimin e inflacionit, liderët e bizneseve dhe CEO-të janë bërë gjithnjë e më të sigurt për mundësinë e një recesioni në vitin 2023.

CEO i Bankës së Amerikës, Brian Moynihan, së fundmi tha për CNN se ekziston mundësia e një recesioni “të butë”. Ekonomistët e anketuar nga Bloomberg vlerësojnë me 70% mundësinë e një recesioni në vitin 2023.

Goldman Sachs vlerëson se do të ketë një rritje të lehtë

Studimi i Moody’s, të cilit i referohet shpesh edhe Shtëpia e Bardhë, nuk po hedh poshtë rrezikun e një rënieje ekonomike, pasi paralajmëron se recesioni mbetet një “kërcënim serioz” dhe thotë se ekonomia është “tepër vulnerabël” ndaj një goditjeje të mundshme. Firma gjithashtu parashikon që papunësia do të arrijë në 4.2% deri në fund të vitit 2023, nga shifra aktuale prej 3.7%.

Ekziston gjithashtu edhe rreziku real i asaj që njihet si “profecia e vetë-përmbushur”, ku pronarët e bizenesve dhe konsumatorët, duke qenë nervozë nga gjendja e perceptuar ekonomike, reduktojnë aq shumë aktivitetin saqë bëhen vetë shkaktarë të recesionit të cilit i druheshin.

Megjithatë, ka arsye të argumentuara për të qenë optimist deri në njëfarë mase për atë që na pret.

Tregu i punës mbetet në një gjendje mjaft të mirë, inflacioni po reduktohet, pagat reale po shtohen, çmimet e gazit janë ulur dhe Fed mund të përgatitet për të ndaluar fushatën e saj të rritjes së normave të interesit.

Javën e kaluar, Goldman Sachs deklaroi se vazhdon të besojë që ekonomia amerikane do ta shmangë recesionin dhe do të ketë një rritje të lehtë ekonomike ku inflacioni do të reduktohet, por rritja do të vazhdojë./ CNN

 VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor