Vendosni fjalën kyçe....

Italianët mund të paguhen për t’u martuar në kishë


Të rinjtë italianë që nuk kanë mundësi financiare që të martohen në një ceremoni kishtare mund të ndihmohen nga qeveria, nëse miratohet një projektligj, i paraqitur nga pesë deputetë të Partisë Lega. Nisma synon të ringjallë traditën e martesave fetare dhe të nxisë italianët të krijojnë familje.

Përshtatshmëria për përfitimet – të cilat do ndaheshin në pesë pagesa vjetore, me sa duket në mënyrë që çiftet të mos mashtrojnë qeverinë me skema të shpejta divorci e rimartese – do kufizohej për të porsamartuarit nën 35 vjeç me të ardhura të kombinuara nën 23,000 mijë euro në vit, ose secili nën 11,500 euro. Të dy bashkëshortët duhet të kenë të paktën dhjetë vjet nënshtetësi italiane dhe dasma duhet të bëhet në Itali.

Shifra prej 20,000 eurosh u vendos pasi përfaqëson 20% të kostos së stolive fetare, duke përfshirë lulet, ftesat, rrobat për nusen dhe dhëndrin, flokët, grimin, fotografitë, kateringun dhe shpenzime të tjera.

Nënshkruesi i parë i projektligjit, deputeti i Liga-s, Domenico Furgiuele, parashikoi se përfitimi do shtrihej në të gjitha martesat, ‘pavarësisht nëse ato festohen në kishë apo jo’. Deputetët Simone Billi, Ingrid Bisa, Alberto Gusmeroli dhe Erik Pretto gjithashtu firmosën emrat e tyre në propozim. Ndërsa zyra e kryeministres Giorgia Meloni ka mohuar përfshirjen në nismë, thuhet se po punon për masat e veta për të mbështetur familjen.

Sipas agjencisë statistikore Istat, rreth 47.4% e 184,000 martesave që u bënë në Itali në vitin 2019 ishin dasma në kishë. Kjo përfaqëson një rënie të konsiderueshme nga viti 1990, kur 82% e dasmave italiane bëheshin në kishë.

Që nga viti 2018, martesat civile kanë tejkaluar numrin e martesave në kishë, pjesë e një rënieje të përgjithshme mbarëkombëtare të respektimit fetar. Ndërsa 75% e italianëve identifikohen si katolikë, më pak se një e katërta e tyre ndjekin rregullisht meshën.